Dy vajzat e aksidentit tragjik të Himarës, të cilat momentalisht po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, do nisen për kurim në Austri. Mëngjesin e ditës së nesërme Florije Peci dhe Eriselda Gubere do të drejtohen drejt Austrisë për t’iu nënshtruar mjekimit në klinikat më të specializuara atje. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ambasadori austriak, Florian Rauning.


Kemi lajme të mira nga Vlora, 5 vajza kanë lënë spitalin. Është një lajm pozitiv, vajzat e tjera në spitalin e Vlorës vazhdojnë të jenë në një gjendje mjaft të mirë. Edhe në Spitalin Ushtarak gjendja është e mirë, stacionare, jemi shpresëplotë që ato që nuk kanë komplikacione të tjera do të fillojnë të lënë spitalin. Problem mbeten dy vajza, për të cilat kemi bashkëpunuar me Ambasadorin e Austrisë dhe së bashku kemi arritur të kemi një zgjidhje pozitive, trajtimin e tyre në klinika të specializuara në Austri. Në këtë mënyrë hapen mundësi të reja për një trajtim pozitiv dhe shpresëmadh, sepse miqtë e mirë duken në ditë të vështira, deklaroi Vasili.