Qeveria rrit nivelin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Ministria e Ekonomisë: “Rritja e madhe e taksave ndikon negativisht te biznesi”


Eljona Ballhysa

Qeveria ka dyfishuar taksat vendore mbi ndërtesën dhe mbi tokën bujqësore. Gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për sistemin e taksave vendore në Shqipëri”. Ky projekt, përveç dyfishimit të tri taksave të rëndësishme vendore, përcakton dhe shtimin e dy taksave të reja, siç është ajo e truallit urban dhe taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit. Në këtë vendim hiqet taksa për qarkullimin rrugor dhe regjistrimin vjetor të automjeteve, të cilat janë vendosur te vendimi për taksat kombëtare. Po kështu ky vendim nuk sjell ndryshime për taksën mbi biznesin. Megjithatë, në letërkëmbimin midis ministrave paraqitet një shqetësim i ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, i cili e shikon të dëmshme rritjen e madhe të taksave për zhvillimin e biznesit, veçanërisht të sektorit të ndërtimit.

Projekti

Sipas vendimit të qeverisë, taksa mbi ndërtesën në Bashkitë e Durrësit dhe të Tiranës do të jetë 45 lekë për metër katror, për ndërtesat e banimit, nga 15 lekë për metër katror që është aktualisht. Ndërsa në bashkitë e tjera kjo taksë do të jetë 24 lekë për metër katror, nga 10 lekë/m2 që është aktualisht. Në relacionin që i bashkëlidhet këtij vendimi për përcaktimin e niveleve të reja të taksës mbi ndërtesën janë analizuar vlerat e taksës aktuale me çmimet reale të shitjes së ndërtesave. Në relacion shpjegohet rasti i Tiranës, ku çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve është rreth 500 euro - 1200 euro m2, ndërsa niveli i taksës së pasurisë prej 5 lekë/m2 është vërejtur se është shumë i ulët. Në relacion bëhet e ditur se në bazë të këtyre vlerësimeve është dyfishuar dhe niveli i taksës së ndërtesës. Nga vendosja e kësaj takse në relacionin shpjegues të vendimit bëhet e ditur se parashikohet që të ardhurat vjetore të vjeljes së kësaj takse kanë një pritshmëri prej 4.1 miliardë lekësh. Në vendim është përcaktuar veçanërisht se për ndërtesat që janë brenda Unazës së Tiranës taksa do të jetë 65 lekë/m2. Përsa u përket niveleve të reja të taksës mbi ndërtesën, është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave sipas vitit të ndërtimit për zbatim më praktik të ligjit.

Gjithashtu është parashikuar në vendimin e qeverisë dyfishimi i takës mbi tokën bujqësore, duke arsyetuar se niveli aktual është shumë i ulët.

Po kështu, një rritje të ndjeshme ka pësuar dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja. Në ligjin ekzistues niveli i kësaj takse shprehjet si përqindje e vlerës së investimit të objektit. Kështu, niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë aktualisht është 1 deri në 3% e vlerës së investimit të objektit për të gjitha bashkitë dhe komunat, me përjashtim të Bashkisë së Tiranës, e cila paguan për këtë taksë 2 deri në 4% të vlerës së investimeve. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria kjo taksë bëhet 4% e vlerës së investimit të objektit për të gjitha bashkitë dhe komunat dhe 6% për Bashkinë e Tiranës. Në relacionin që i bashkëlidhet këtij vendimi bëhet e ditur se rritja e kësaj takse do të synojë në rritjen e të ardhurave të buxhetit të qeverisjes lokale duke rritur mundësitë për më tepër investime.

Taksat e reja

Në vendimin e qeverisë është parashikuar të shtohet dhe taksa e truallit urban, niveli i së cilës përcaktohet nga sipërfaqja në metër katror në pronësi të taksapaguesit. Vendimi i qeverisë parashikon që Bashkia e Durrësit dhe e Tiranës të paguajë 23 lekë për 100 m2 si taksë mbi truallin urban, ndërsa bashkitë e tjera do të paguajnë 12 lekë për 100 m2 për këtë taksë. Në relacion bëhet e ditur se kjo taksë aplikohet për herë të parë në Shqipëri, ndërkohë që në shtete të tjera, si Itali dhe Rumani, kjo taksë është aplikuar gjerësisht. Një tjetër taksë e re që është përfshirë për herë të parë në sistemin e taksave vendore është dhe taksa për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit. Kjo taksë do të jetë vjetore dhe do të paguhet brenda tremujorit të parë të vitit në vazhdim.



Të ardhurat që priten të mblidhen nga rritja e taksave

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, 2800 milionë lekë

Taksa e ndërtesës, 2100 milionë lekë

Taksa e tokës bujqësore, 964 milionë lekë

Taksa e veprimtarisë së peshkimit, 20 milionë lekë





19 Qershor 2008