Janë dy prej sportistëve më popullorë të brezave të tyre. Legjenda e boksit, 70-vjeçari Muhamed Ali dhe ylli anglez I futbollit devid Bekham janë bashkuar për të prezantuar një çmim të ri prestigjoz. Së bashku ata kanë prezantuar në Londër edicionin e parë të çmimit “Brezi Ali përtej Sportit”.



Çmimi simbolik që i jepet të rinjve të cilët kanë shërbyer si frymëzim nëpërmjet sportit, i është dorëzuar refugjatit nga Afganistani, Matiullah Haidar. 19-vjeçari ka humbur pjesën më të madhe të familjarëve gjatë konflikteve në Afganistan, ndërsa tashmë ai punon si trajner sporti, por edhe si përkthyes për refugjatët e tjerë afganë.



37-vjeçari Bekham deklaroi se për të ishte një nder që qëndroi përkrah Muhamed Ali, një prej njerëzve që ka shërbyer si frymëzim në historinë e sportit, duke e cilësuar legjendën e boksit si një “ikonë globale e që ka ndikuar në jetën e shumë njerëzve”.



Kjo ishte shfaqja e parë publike e Muhamed Ali në prag të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike “Londër 2012”. 70-vjeçari pritet të ketë një rol të vogël në ceremoninë që do të zhvillohet në mbrëmjen e së premtes, ashtu si edhe Bekham. Ali vuan prej 26 vjetësh nga sëmundja e Parkinsonit, megjithatë ai vazhdon të mbetet aktiv në jetën publike, duke mos preferuar të qëndrojë I tërhequr pavarësisht gjendjes jo të mirë.



Në anën tjetër, pasi u la jashtë ekipit britanik të futbollit, mesfushorit të Los Anxhelos Galaksi iu kërkua nga Lordi Koe që të përfshihej në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike.