• Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar regjistrimin në gjykatë të koalicionit të ri opozitar si subjekt politik.Aristir LumeziRegjistrimi i koalicionit të ri opozitar "E majta për Integrim" në gjykatë, i jep atij vlerën e një partie politike dhe aspak të marrëveshjeve politike para dhe paszgjedhore. Ky veprim do të bëjë të mundur hyrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2009 edhe të koalicionit të disa partive, por dhe personaliteteve, edhe pse Kodi i ri Zgjedhor do t'i përjashtojë koalicionet parazgjedhore. Koalicioni i formatuar juridikisht si parti politike, pritet të ketë në përbërjen e tij jo vetëm parti politike, por edhe shoqata, përfaqësues të partive politike, të zgjedhur vendorë etj., duke e nxjerrë atë jashtë formatimeve të aplikuara deri tani në politikën shqiptare. "Në këtë grupim politik do të bëjnë pjesë jo vetëm përfaqësues të partive dhe sferave politike, por dhe personalitete të fushave të ndryshme, deputetë, të zgjedhur vendorë të çdo hierarkie si dhe çdo shqiptar ose shqiptare që do të gjejë aspiratat e veta në Platformën, Statutin dhe Programin e këtij formacioni politik, i cili ashtu siç ka dhe emrin, pa ekuivok i përket të majtës shqiptare në tërësi", thuhet në njoftimin zyrtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dokumentacioni i paraqitur për regjistrimin e koalicionit është pranuar nga zyra e regjistrimit të partive politike dhe ka në qendër kërkesën e kreut të LSI-së për njohjen juridike nga togat e zeza të një grupimi të ri politik, që në dosjen e dorëzuar gjykatësve mban emrin "E Majta për Integrim". Pas procedurës së njohur si shorti, kërkesa e cilësuar si civile, pret radhën të shqyrtohet këto ditë nga gjyqtari Artur Gaxhi. Ka qenë sekretarja organizative e LSI-së, Brizida Gjikondi, që e ka dorëzuar atë. Regjistrimi i koalicionit është një hap përpara nga ana e LSI-së e përpjekjes së dy partive të mëdha për të mbajtur rreth vetes aleatët e tyre për reformën zgjedhore. Me këtë formë organizimi, partitë politike do të jenë të hapura të bashkëpunojnë mes tyre në një koalicion, të cilat i bashkëngjiten vazhdimisht, por që përveç tyre mund të bashkohen me të edhe personalitete të fushave të ndryshme, pavarësisht se të kujt krahu politik janë. Me këtë lëvizje LSI kërkon të bëjë për herë të parë një përballje origjinale me dy partitë e mëdha, duke krijuar lobin e tretë në politikë. Ndoshta kjo lëvizje mund të detyrojë dy partitë e mëdha të rishohin variantin që kanë gati për ta paraqitur në Kuvend, që është sistemi spanjoll, proporcional rajonal. Menjëherë pas mbledhjes së fundit të kryesisë së LSI-së, Ilir Meta shpalli daljen nga koalicioni opozitar me PS-në dhe komunikoi vendimin e saj për krijimin e koalicionit të ri të majtë, duke ftuar të gjitha forcat e majta, por dhe të djathta për mbrojtjen e votës së shqiptarëve. Por apeli i Metës, edhe pse kanë kaluar shumë pak ditë, ka gjetur një përkrahje të gjerë në radhët e politikës. Deputetë majtas dhe djathtas e kanë përshëndetur atë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e vlerësoi si ide pozitive dhe nuk e mohoi mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm me LSI-në brenda këtij koalicioni. Edhe deputetë socialistë janë shprehur se e gjejnë veten shumë pranë këtij koalicioni kundër diktatit të dy partive të mëdha. Petro Koçi, drejtuesi i Lëvizjes Institucionale Socialiste është shprehur i hapur për bashkëpunim, por edhe ish-deputeti socialist Durim Lamaj e ka parë LSI-në si një shtëpi socialistësh me të cilën mund të bashkëpunohet.Stefa"Lëvizja e deputetëve përkrahës të ish-kryetarit Nano nuk ka marrë asnjë vendim për t'u bashkuar me forca të tjera politike". Këtë e deklaroi deputetja socialiste Rajmonda Stefa, njëra prej pjesëtareve të kësaj lëvizje. Ajo shpjegoi se ky grupim shërben për të forcuar PS-në dhe jo ndonjë parti tjetër. "Çdo deklaratë në emër të deputetëve pro Nanos në këtë amulli të krijuar në gjirin e opozitës, është spekulim", tha Stefa. Deklarata e saj erdhi pas disa zërave se nanoistët do t'i bashkoheshin lëvizjes, "E Majta për Integrim".Lamaj"Me daljen e lëvizjes Meta, e cila ka një vizion shumë më të gjerë, spektri i majtë politik është bërë tashmë shumë interesant. Ne si lëvizje e zotit Nano, por edhe një pjesë e elektoratit që na mbështet, jemi në përputhje të plotë me opsionet që shtron edhe zoti Meta në promemorien e tij. Madje, si pjesë e atyre deputetëve që e mbështesin zotin Nano, e ndiejmë më mirë veten shpirtërisht dhe moralisht te Lëvizja Meta sesa te Partia Socialiste, e cila tashmë na ka bërë dalje", tha Lamaj.Petro Koçi: LSI dhe LIS do riformatojnë të majtënDeputeti socialist, Petro Koçi, përfaqësues i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS u shpreh dje i hapur për një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në, në kuadër të përpjekjeve për riformatimin e së majtës. Duke folur për lëvizjen e iniciuar nga kryetari LSI-së, Ilir Meta, "E Majta për Integrim", Koçi beson se shumë shpejt do të fillojë dialogu me LSI-në. "Para disa javësh kam hedhur idenë e bashkëpunimit me forcat progresive të së majtës dhe kam shprehur vlerësimin se në fund të fundit Ilir Meta është më socialist se Edi Rama", u shpreh deputeti socialist. Sipas tij, bashkëpunimi i Lëvizjes Integruese Socialiste me LSI-në është me rëndësi strategjike, sepse ka lidhje me riformatimin e së majtës. "Derisa kemi një bashkëpunim Rama-Berisha dhe një sundim të lidershipit të dy partive kryesore nga e djathta, atëherë është normale që të projektohet ky riformatim i së majtës dhe mendoj se pozicioni i Ilir Metës dhe i partive të majta LSI, PDS dhe PAD kundër çiftit Rama-Berisha përbën dhe terrenin e bashkëpunimit të Lëvizjes Institucionale Socialiste. Me këto parti hapat do të shikohen në vijim, por besoj se dialogu do të fillojë shumë shpejt", tha Koçi. Deputeti socialist ripërsëriti qëndrimin e tij që Nano të mos i bashkohet këtij formatimi të ri brenda së majtës.