Berluskoni

Edhe pse Bashkimi Europian ka pasur probleme së fundmi me Izraelin, Kryeministri italian, Berluskoni, i cili bëri një vizitë në Izrael, tha ndër të tjera se shpresonte që një ditë ta shihte Izraelin si anëtar të klubit europian. “Jam këtu me 8 nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit, me qëllimin e rigjallërimit dhe shtimit të lidhjeve ekonomike. Gjatë takimit me Kryeministrin hebre, Natanjahu, Berluskoni tha se për sa kohë ishte ai në detyrë për të formëzuar politikën e vendit të tij, ëndrra më e madhe është që të përfshijë Izraelin dhe vende të tjera në organizatën e Bashkimit Europian. Por ndërkohë, sipas komenteve të zyrtarëve të ndryshëm, shanset që Izraeli të bëhet anëtar i BE-së janë shumë të vogla dhe se nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për diçka që e dëshiron vetë Izraeli. Ministrat e Jashtëm të BE-së aprovuan një përmirësim të marrëdhënieve të BE-së me Izraelin. Në këtë vendim përfshihej edhe takimi i herëpashershëm i Kryeministrit të Izraelit dhe krerëve të qeverive të vendeve të BE-së, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Për Kryeministrin hebre, Berluskoni është një nga miqtë më të mëdhenj të vendit, sepse ndër të tjera ai kishte ndjeshmërinë për të kuptuar të kaluarën e tmerrshme të hebrenjve. Edhe për Berluskonin, vizita e një pjese të mirë të kabinetit qeveritar demonstronte “dashurinë, afërsinë dhe dëshirën për të bashkëpunuar mes dy vendeve që ndajnë një lidhje shumë të fortë”.






#