Kampionati Botëror i Basketbollit do të zhvillohet në Turqi nga data 28 gusht deri më 12 shtator 2010. Konsiderohet si një nga turnetë më prestigjiozë. Për herë të tretë pas (pas atyre në vitin 1986 dhe 2006), Kampionati Botëror diskutohet midis 24 vendeve. Ndeshjet në grupe do të luhen në katër qytete të ndryshme, ndërkohë që nga ndeshjet e raundit me eliminim direkt ato do të luhen në Stamboll. Shorti i kampionatit është hedhur prej kohës (15 dhjetor 2009) dhe skuadrat janë ndarë në katër grupe eliminatore me nga gjashtë skuadra. 16 skuadrat më të mira në total do të avancojnë për në raundin me eliminim direkt. Turqia mposhti konkurrencën e Francës dhe një grupimi të bashkuar midis Bosnjës-Kroacisë-Serbisë-Sllovenisë. Ndeshjet do të zhvillohen në qytetet turke te Anakarasë, Stambollit, Izmirit dhe Kajserit, në pallate sporti që variojnë nga 7500 deri në 16 mijë shikues (në Stamboll). Spanja është kampionia në fuqi e Botës, të trofe i fituar në vitin 2006. Më 28 gusht do të zhvillohen 12 ndeshje, më 29 gusht, po 12 ndeshje, ndërsa më 30 gusht 6 ndeshje. Ndeshjet nisin me Greqinë kundër Kinës dhe Zelandën e Re kundër Lituanisë.



EKIPET

Turqia u kualifikua automatikisht si vend organizator, ndërkohë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguruan një vend si fituese të Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008. Shumë nga ekipet siguruan vendin e tyre përmes kualifikimeve: tre janë nga Afrika, tre nga Azia, dy nga Oqeania, katër nga dy Amerikat dhe gjashtë nga Europa. FIFA, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, ftoi katër ekipe te tjera, përmes një “wild card” (sipas një kriteri të veçantë) për të kompletuar listën me 24 skuadra. Nga Europa marrin pjesë: Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Lituania

Rusia, Serbia, Sllovenia, Spanja (kampione e Botës) dhe Turqia (vendi organizator). Nga Afrika janë Angola, Bregu i Fildishtë

dhe Tunizia. Nga Azia marrin pjesë Kina, Irani, Jordani dhe Libani. Dy Amerikat përfaqësohen nga Argjentina, Brazili, Kanadaja, Puerto Riko dhe SHBA-ja (fituese e Lojërave Olimpike 2008). Oqeania prezantohet nga Australia dhe Zelanda e Re. Midis transmetueve ekskluzivë të kompeticionit figuron dhe paketa dixhitale “Supersport”.



SHBA-ja, “DREAM TEAM”

Disa nga yjet më të mirë të botës në basketboll, përfshirë dhe legjendat e kampionatit amerikan, NBA, do të jenë të pranishëm në Kampionatin Botëror të Turqisë. Emra të tillë si Kobi Brajant, Lëbron Xhejms, Xheson Kid, Duejn Uajde, Karemo Antoni, Duajt Hauard, Kris Pol, Majkell Red, ishin fituesit e Lojërave Olimpike në Kinë, ndërkohë që në Turqi, SHBA-ja paraqitet me emra të tillë si Rudi Gej, Lamar Odom, Çaunsej Billaps, Tajson Çandler (216 cm), Stefën Kjuri, Kevin Djurant, Erik Gordon, Deni Grejnxhër, Endri Iguodala, Kevin Lav, Derik Rouz dhe Rasëll Uestbrouk.

Një amerikano-polak, Majkëll Krzysevski (63 vjeç) është trajneri i skuadrës amerikane. Ai drejton nga viti Botërori i Japonisë (2006) dhe ka fituar Lojërat Olimpike (2008). Skuadra e Shteteve të Bashkuara është një ndër më të sukseshmet në basketbollin e meshkujve në kompeticionet ndërkombëtare, duke fituar medalje në të gjitha 16 turnetë olimpikë të basketbollit në të cilat ajo ka marrë pjesë. Ekipi amerikan njihet si “Dream Team”, ekipi i ëndrrave, kjo edhe për vetë famën dhe performancën e jashtëzakonshme të basketbollistëve të saj. Gjithsesi, aktualisht, SHBA-ja renditet si ekipi i dytë më i mirë në botë. Deri në vitin 1989, ekipet përbëheshin nga lojtarë amatorë, por më pas rregullat ndryshuan dhe lojtarët ishin profesionistë. Ekipi i parë i njohur si “Dream Team”, fitoi medaljet e arta në Lojërat Olimpike të Barcelonës, në vitin 1992, ku mundi në finale Kroacinë. SHBA-ja në 16 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ka fituar 13 herë medaljet e arta, 1 argjendi dhe 2 bronzi. Në Kampionatet Botërore, SHBA-ja ka marrë pjesë 15 herë, por vetëm 3 herë e ka fituar titullin, pikërisht në vitet 1954, 1986 dhe 1994, duke humbur edhe tri finale të tjera: 1950, 1959 dhe 1982. Ndeshja e parë e Shteteve të Bashkuara në këtë Kampionat Botëror do të jetë ajo kundër Kroacisë, për t’u pasuar me ato kundër Sllovenisë, Brazilit, Iranit dhe Tunizisë. Në ndeshjen e fundit testuese, SHBA-ja fitoi 87-59 me Greqinë në Athinë. Ekipi amerikan ka një shtatlartësi mesatare prej 200 cm.





SPANJA, KAMPIONIA NË FUQI



Ekipi spanjoll është kampioni në fuqi i Botës (“Japoni 2006”, mundi Greqinë 70-47), por dhe kampioni i Europës (“Poloni 2009”, mundi Serbinë 85-63). Në renditjen e përgjithshme botërore të FIBA-s, Spanja renditet e treta. Spanja ka marrë pjesë deri tani në 9-të kampionate botërore, ndërkohë që në ato europiane ka marrë pjesë 26 herë, duke e fituar atë vetëm një herë në vitin 2009, ndërkohë e ka humbur finalen në gjashtë raste të tjera. Spanja fitoi gjithashtu medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Kinës, duke humbur me Shtetet e Bashkuara.



GRUPI A

Argjentina

Serbia

Australia

Gjermania

Angola

Jordania



GRUPI B

SHBA

Sllovenia

Brazil

Kroacia

Irani

Tunizia



GRUPI C

Greqia

Turqia

Puerto Riko

Rusia

Kina

Bregu i Fildishtë



GRUPI D

Spanja

Franca

Kanadaja

Lituania

Zelanda e Re

Libani





Argjentina, numri 1 i botës



Argjentina kryeson renditjen botërore të FIBA-s. Skuadra e Serxhio Hernandezit, me 865 pikë, lë pas SHBA-të (861 pikë, kampione olimpike, 2008) dhe Spanjën (759 pikë, kampionë në fuqi e botës, 2006). Në Argjentinë ka 1200 klube basketbollit të regjistruar dhe mbi 130 mijë basketbollistë meshkuj të licencuar. Në ndeshjen e fundit miqësore, Argjentina mundi Turqinë me rezultatin 93-89. Karlos Delfino shënoi 30 pikë në atë ndeshje. Ndeshja e parë në botëror e Argjentinës është ajo kundër Gjermanisë, më 28 gusht, në Kajseri.







RENDITJA BOTËRORE E 24 FINALISTËVE

1. Argjentina 865.0 pikë

2. SHBA 861.0 pikë

3. Spanja 759.0 pikë

4. Greqia 529.0 pikë

5. Serbia 459.0 pikë

6. Lituania 382.0 pikë

7. Gjermania 322.0 pikë

9. Kina 254.7 pikë

10. Puerto Riko 256.0 pikë

11. Australia 234.0 pikë

12. Angola 205.0 pikë

13. Zelanda e Re 193.0 pikë

14. Brazili 181.6 pikë

15. Franca 181.0 pikë

15. Kroacia 181.0 pikë

17. Rusia 179.0 pikë

18. Turqia 163.0 pikë

19. Kanadaja 124.0 pikë

20. Sllovenia 123.0 pikë

21. Irani 89.1 pikë

24. Libani 93.0 pikë

38 Jordania 19.5 pikë

41. Bregu i Fildishtë 13.6 pikë

43. Tunizia 13.4 pikë





27 Gusht 2010