Nga Mero Baze


 


Nëse do ti kërkoje çdo gazetari apo ndjekësi të fushatave elektorale të këtyre 20 viteve cili është konstatimi i parë për fushatën elektorale të 8 majit, pa u menduar gjatë do të thoshte DHUNA. Si asnjëherë në historinë e këtyre 20 viteve, në të gjitha fushatat elektorale që nga ajo e 31 marsit e deri më sot, nuk ka pasur kaq dhunë dhe kaq nervozizëm nga pushteti ndaj opozitës. Edhe në zgjedhjet e 26 Majit kjo u demonstrua vetëm disa orë para ditë dhe në javën e fundit të fushatës, por jo qysh pa nisur ende. Kurrë në asnjë fushatë elektorale kandidatët e opozitës nuk janë sulmuar me plumba dhe tritol si në këtë fushatë dhe kurrë ndonjë herë media nuk ka bërë sikur nuk e shikon këtë dhunë siç po bën tani. Bile dhe kur ka qenë e detyruar të heshti, nuk ka qenë aq e paturp sa të thotë kjo është një fushatë pozitive. Kjo dhunë kullon gjak, urrejtje dhe panik elektoral. Prej tyre nuk di të burojë asgjë pozitive.


Këtë konstatim thelbësor për këtë fushatë e ndanë dje publikisht dhe tri figura të rëndësishme që janë të dënuar të kujdesen për zgjedhjet në Shqipëri, Presidenti i Republikës, ambasadori i OSBE dhe ambasadori i SHBA. Të tre bashkë nga Vlora bashkuan thirrjet kundër dhunës dhe uljes së tensionit. Asnjëherë në fushatat e këtyre 20 viteve nuk ka qenë dashur një thirrje e tillë për qetësi, sa po ndjehet nevoja në këtë fushatë.


Por më shqetësuese se vetë dhuna, është përpjekja për ta maskuar atë, çka tregon se kjo dhunë është e planifikuar. Kryeministri Berisha vazhdon të flasë për fushatë pozitive ndërkohë që kandidatët rivalë të tij po gdhihen me shtëpi të përmbysura nga dinamiti dhe media që nuk transmeton kasetat e tij po bojkotohet me dhunë. Retorika e fushatës pozitive duket se është menduar gjatë si alibi e dhunës së përgatitur, dhe nëse vazhdohet me këto ritme, zor se kjo fushatë shpëton pa dëshmorët e saj.


Dhuna ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë dhe një fushatë të zbehtë të shumicës në Tiranë. Lulëzim Basha është praktikisht kandidati i padukshëm që shëtit i vetmuar rrugëve të Tiranës. Nëse flet me njerëz të strukturave të PD-së apo mbështetës të tyre, përse nuk e ndjekin nga pas Bashën, ose së paku pse e lënë vetëm me një tufë njerëzish që skanë lidhje me PD-në, të gjithë ta arsyetojnë se ai i ka marrë masat. Me këtë nënkuptojnë se ai ka importuar votues në Tiranë, se ka bërë karta fallco, se po paguan militantë të PS-së me nga 100 euro duke u marrë kartën peng që të mos votojnë, se do blejnë komisionerë etj. E gjithë kjo ju siguroj që nuk është e vërtetë. Nuk dua të mbroj Lulëzim Bashën se nuk ka dëshirë ti bëjë këto, por e di që është i paaftë për ti bërë të gjitha. Por kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që në mentalitetin e partisë në pushtet, mungesa reale e një fushate elektorale prej Bashës po justifikohet me dhunën, me hilet, me skenarët e rrëmbimit të votave dhe gjëra të tjera që skanë lidhje me fushatën elektorale. Lulëzim Basha është kthyer në një kandidat ilustrues i fushatës, pra që thjesht duhet të ilustrojë idenë që ai bëri fushatë dhe shkoi në garë. Logjika e përdorimit të dhunës, ka krijuar mitin e fitores brenda PD dhe aty të gjithë presin që dikush që ata nuk e njohin, ti rregullojë këto punë dhe ata të fitojnë.


Por dhuna ka prodhuar dhe një reaksion tek opozita. Jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa zona të tjera si Kamza, Pogradeci apo Korça, dhuna po rrezikon ballafaqime serioze. Opozita në Kamëz po përballet me një situatë para-demokratike, ku luftohet sikur do të vendoset pluralizmi dhe jo sikur do të konkurrohet. Një klan i korruptuar i shumicës në Bashkinë e Kamzës, të cilët vetëm për të pritur pesë herë Sali Berishën kanë shpenzuar këto katër vjet 200 milionë lek të vjetra, po harxhojnë miliona për të mbajtur njerëzit nën terror. Kjo ka rritur theksin polik të fushatës jo vetëm në Kamëz, por në gjithë Shqipërinë. Ideja se pushteti mbahet me dhunë dhe blihet me lek, po e bën më politike fushatën dhe më të frikshme pasojat e dhunës për shumicën. Unë nuk di sa mund të tremben njerëzit në Kamëz nga dhuna e pushtetit, por nuk kam parë kurrë aq shumë njerëz të irrituar nga dhuna sa pashë të dielën në mitingun e opozitës në Kamëz, të cilët turfullonin ndaj Mëzatit që u ka ndërsyer Berisha.


Është pikërisht konstatimi se kjo është fushata më e dhunshme e historisë pluraliste të Shqipërisë, ajo që na bën të besojmë se duke qenë dhuna e para në këtë fushatë, pushteti ka zhdukur identitetet e kandidatëve të vet. Kudo ku ka dhunë, njerëzit kujtojnë kë ka varrë dhe kë ka vjedhur kandidati dhe jo çfarë do bëjë ai, qoftë ky Mëzat si i Kamzës apo i tredhur si ky i Tiranës.