Edi Rama është i dënuar sot të ketë përballë kundërshtarin më të rreptë të mundshëm për të, që është Edi Rama. Ai ka kundërshtar të djeshmen e vet. Kështu u ndodh, herët a vonë, të gjithë liderëve autokratë që në agim të karrierës i përdorin parimet dhe aksiomat demokratike vetëm si karrem për të ushqyer grepin e pushtetit të tyre. Ashtu si të tjerë autokratë para tij, edhe Edi Rama është i dënuar sot të ballafaqohet me atë periudhë kur u binte fort tam-tameve demokratike dhe shigjetonte me parimet e lirisë liderët e vjetruar Berisha dhe Nano. Dhe për shkak të disfatës në zgjedhje, të shkaktuar nga epshi për lavdi dhe pushtet personal absolut, si dhe gjarpërimet autokratike për t‘i ikur përgjegjësisë për humbjen, Rama i sotshëm është vënë në shënjestrën e Ramës së djeshëm. Rama i sotshëm mund t‘ia mbyllë gojën kujtdo në Partinë Socialiste, mund t‘i shndërrojë në servilë edhe rebelët tradicionalisht më kokëfortë, por është i pafuqishëm përballë Ramës së djeshëm. Sepse, sikundër ka thënë dhe Oskar Uajlld, askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet. Rama i sotshëm mund ta dredhë gjuhën sipas interesit, por Rama i djeshëm do të vazhdojë të flasë, i lirë nga interesat e çastit, edhe sot njësoj si dje. Prandaj dhe Rama i djeshëm shfaqet i patrembur, i pakorruptueshëm përballë Ramës së sotshëm. Dhe flet troç të vërtetat mbi kryepërgjegjësinë e liderit të partisë për humbjen në zgjedhje apo për nevojën e largimit të kryetarit pas humbjes, në mënyrë që t‘i hapet rruga fitores. Prandaj Rama i djeshëm nis e kritikon dhe shigjeton rreptë Ramën e sotshëm me po ato fjalë dhe terma që ka shigjetuar Berishën dhe Nanon. Prandaj Partia Socialiste duhet të dëgjojë më shumë Ramën e djeshëm, sesa Ramën e sotëm, duhet të dëgjojë më me kujdes Ramën që kërkonte largimin e Nanos dje dhe që kërkon edhe largimin e Ramës sot, sesa Ramën që po imiton Berishën duke mos u larguar pas një disfate. Ndryshe PS, që mbetet shpresa opozitare për dalje nga kurthi i autoritarizmit ku e ka futur berishizmi Shqipërinë, do të shndërrohet në një imituese mjerane e PD-së dhe patriarkalizmit të saj të kalbur.





***



Ka disa të vërteta që nuk ndryshojnë me kohën, pra me evoluimin e fakteve apo ngjarjeve. Ato quhen të vërteta logjike. Një e vërtetë e tillë është kjo: dy edhe dy bëjnë katër. Dhe kaq do të bëjnë në të gjitha kohërat. Të tilla të vërteta të fiksuara ka jo vetëm matematika, por edhe politika. Ja njëra nga ato: "Partia në demokraci është bashkim vullnetar të barabartësh mes tyre në të drejta ku i pari është thjesht primus inter pares, pra i parë mes të barabartëve. Kjo do të thotë se në aspektin moral e simbolik fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve". Këtë të vërtetë logjike e ka formuluar Edi Rama në një intervistë të dhënë për gazetën e partisë së tij "Zëri i Popullit", vetëm pak ditë pasi PS humbi pushtetin në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Dhe në atë kohë ne ishim me Ramën, sepse kishte të drejtë. Dhe vazhdojmë të jemi me atë Ramë, i cili kritikon Ramën e sotëm, që me dinakëri ourelliane dhe bolshevike po përpiqet të jetë "më i barabartë se të barabartët" e tjerë në parti, një Ramë që jo vetëm nuk po merr mbi supe përgjegjësinë e humbjes, por po përpiqet, tamam si kundërshtari i tij (S)Ali Komiku në 2007-ën, ta shpallë humbjen si fitore!



Pas 3 korrikut 2005, edhe pse në statutin e PS në atë kohë nuk kish një nen për dorëheqjen e kryetarit në rast humbjeje, Rama ka këmbëngulur që Nano të largohej. Dhe me argumente shumë bindëse e me një logjikë të hekurt demokratike: "...nuk ka një nen në statut, po nuk ka për fat të keq as edhe ndonjë precedent në kulturën tonë të mjerë demokratike, që ta detyrojë automatikisht zotin Nano të japë dorëheqjen". Çuditërisht Rama i sotshëm u kundërvihet me arrogancë mësimeve të Ramës së djeshëm, duke mos dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë. Ky akt i Ramës sot është jo një, por disa hapa prapa, krahasuar me liderin e politikës së vjetër Nano. Sepse Nano e dha dorëheqjen edhe pa pasur një nen në statutin e partisë që ta detyronte për një gjë të tillë. Ndërkaq, Rama i "politikës së re" nuk e ka dhënë dorëheqjen, megjithëse tashmë në statutin e PS ka një nen që thotë se mandati i kryetarit ndërpritet para kohe "kur partia humbet zgjedhjet legjislative". Kryetari i politikës së vjetër, Nano, dha dorëheqjen duke krijuar një precedent të panjohur në politikën shqiptare, sikundër e këshillonte Rama në ato momente, "duke u sjellë si udhëheqës i emancipuar e i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ekskluzive jo thjesht në raport me humbjen, por në raport me të nesërmen e kësaj force". Prandaj nuk jemi ne, por në radhë të parë Rama i djeshëm, që i sugjeron edhe Ramës së sotëm të sillet si lider "i emancipuar", "i vetëdijshëm" për "përgjegjësinë e tij ekskluzive" për disfatën dhe të dorëhiqet duke vazhduar në këtë "model të ri emancipues për partitë shqiptare", ku lideri mbetet në krye deri sa e thërret i plotfuqishmi. Duke i kërkuar dje që të largohej, Rama i kujtonte Nanos edhe Helmut Kolin, i cili "një shembull i madh mes plot të tjerëve në rutinën e sjelljes demokratike në këso rastesh, humbi zgjedhjet pasi realizoi bashkimin historik të dy Gjermanive, e megjithatë u largua nga kreu u partisë së tij jo kur dolën rezultatet e analizave, por po atë natë që doli rezultati i votimeve". Por Rama i "politikës së re" nuk i afrohet për nga etika politike jo më Helmut Kolit, por as edhe Fatos Nanos. Për këtë shkak Rama i djeshëm ia kërkon largimin edhe Ramës së sotshëm, jo vetëm në emër "të rutinës së sjelljes demokratike në këso rastesh", por edhe se sipas mendësisë së Ramës së djeshëm: "Partia në demokraci nuk është si në komunizëm, ku për çdo dështim nxirret fët e fët përmes ca analizash të thelluara me frymë kritike dhe autokritike, një grup armiqësor" për të justifikuar humbjen. Rama i djeshëm i thotë Ramës së sotëm të largohet, sepse partia në demokraci nuk mund të jetë "as edhe si një ndërmarrje private, ku një vit bilanc negativ mund të sjellë pasoja për të tërë, përveç të zotit të ndërmarrjes".





***



Natyrisht, Edi Rama sot mund të imitojë Sali Berishën (sepse po të imitonte Nanon, duhet të qe larguar), duke thënë se nuk ka humbur, se votat u grabitën, se faji është i Ilir Metës dhe të tjera si këto. Rama mund të qëndrojë në krye të Partisë Socialiste edhe për faktin e dukshëm se tashmë ai ka mundur të krijojë në forumet e saj nuklin, shumicën e nevojshme të servilëve dhe sahanlëpirësve të liderit që i kanë lidhur fijet e interesit me fatin dhe pushtetin e liderit dhe jo me fatin dhe frymën e partisë, me demokratizimin e saj dhe të Shqipërisë. Rama mund të gjejë mbështetje, solidaritet dhe duartrokitje te kjo skotë e neveritshme dhe e padenjë për besimin që i kanë falur socialistët, që përflasin lart e poshtë dhe nëpër media se me largimin e Ramës, Partia Socialiste do të marrë fund. Rama duket se nuk do të largohet duke u mbrojtur nga miti sa bolshevik, aq edhe berishist, se partia është Lenini, Berisha apo Rama. Por asgjë nuk do të mund ta shpëtojë nga Edi Rama i djeshëm, që e akuzon se po "sillet si një politikan i zakonshëm i pjesës më të prapambetur të trevës ballkanike, duke imituar... jo vetveten, por Sali Berishën". Dhe po sipas Edi Ramës, një moslargim i kryetarit Rama, sikundër e kërkon e drejta, morali dhe statuti, do t‘i "shkaktonte Partisë Socialiste një rritje të kostos politike të ndryshimit të domosdoshëm e të pashmangshëm në udhëdaljen e vetme të mundshme nga ky stad i krizës ku gjendemi aktualisht". Dhe përballë kësaj të vërtete që nuk maskohet dot dhe që Rama e ka formuluar gjithë elokuencë kur kërkonte largimin e Nanos, Edi Rama dhe mbështetësit e tij puthadorë duhet të paktën të shpallin tradhtar dhe misionar të Berishës jo Ben Blushin apo ndonjë tjetër, por atë vetë, Edi Ramën e djeshëm. Por do të qe një gabim fatal, sepse faktet tregojnë që Edi Rama i djeshëm ka të drejtë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që Edi Rama i sotshëm është gjithë ditën dhe gjitha natën në faj. Faktet tregojnë se Rama i "vjetër" është i ri, ndërsa Rama "i ri" është i vjetër, ashtu si politika e tij "e re". Dhe pushteti i vjetër i Berishës nuk mposhtet me një ofertë të vjetër autokratike. Ky është edhe shkaku i vërtetë i disfatës përballë alternativës së plakur të Sali Berishës më 28 Qershor. Me Edi Ramën, PS nuk ofroi diçka të re, por disa vjetërsira që Edi Rama vetë i kish kritikuar me kohë. Prandaj shpëtimi është ta shpallësh Ramën e sotshëm tradhtar të Ramës së djeshëm, të rehabilitosh Ramën që fliste nga pozitat e opozitës brenda PS kundër liderit absolut Nano, t‘i bësh jehonë Ramës që bënte thirrje për rotacionin e liderit absolut dhe jo Ramës që është shndërruar në një lider absolut. Shpëtimi është që PS të distancohet sa më shpejt nga lidershipi i Edi Ramës, që tregoi në pak vjet se jo vetëm pushteti absolut, por edhe epshi apo vizioni për pushtet absolut korruptojnë në mënyrë absolute. Dhe a ka provë më bindëse për këtë, sesa braktisja e parimeve, të vërtetave dhe ideve si damkë e neveritshme e pavërtetësisë, korruptimit të vrullshëm dhe galopant të një politikani që këmbëngul me hipokrizi lakuriqe dhe fyese edhe për inteligjencën e rëndomtë se nuk është politikan?