TIRANË Misioni EURALIUS i Bashkimit Europian do të prezantojë sot një raport të veçantë për imunitetin e gjyqtarëve. EURALIUS thekson se gjyqtarët shqiptarë duhet të përgjigjen para ligjit për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor, ndërsa rekomandon që të garantohet në mënyrë ekskluzive imuniteti i gjyqtarëve që duhet të mbrohen vetëm ndaj padive civile dhe kërkesave penale bazuar në vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre. Sipas rekomandimeve të këtij misioni, prokurori kompetent duhet të jetë në gjendje të bëjë hetimin për krime të mundshme të kryera nga gjyqtarët, pa nevojën e autorizimit paraprak nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Gjyqtarët nuk duhet të arrestohen apo t’u kufizohet liria e lëvizjes në çfarëdo forme pa autorizimin e KLD-së, përveç rasteve kur kapen në flagrancë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas EURALIUS-it nuk duhet të përfitojnë nga imuniteti i përgjithshëm, por nga një regjim procedurial i ngjashëm me atë të deputetëve. Për pasojë, EURALIUS sugjeron ndryshimin e Kushtetutës, ligjit organik për KLD-në, atij për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, si dhe të Kodit të Procedurës Penale dhe Civile.