Ebola fut në panik edhe futbollin. Epidemia vdekjeprurëse që ka përfshirë kontinentin afrikan, ka bërë që qeveria marokene t’i paraqesë Konfederatës Afrikane të Futbollit kërkesën për shtyrjen e Kupës së Afrikës, që është në plan për t’u zhvilluar në Marok nga 17 janari deri më 8 shkurt të 2015-s. 

Këtë fakt e bëri të ditur Ministri i Sporteve të Marokut, i cili shpjegoi se kërkesa për shtyrjen e eventit më madhor të futbollit që zhvillohet në Afrikë është ndërrmarë për të evituar tubimet e tifozërive të vendeve të prekura nga ky virus. 

Kupa e Afrikës “Marok 2015” është në program për të nisur në janarin e vitit të ardhshëm, por me kërkesën e qeverisë së vendit mikpritës gjithçka mbetet në dyshim. Ky kompeticion, që është më i rëndësishmi në nivel kombëtaresh në kontinentin e zi, zhvillohet çdo dy vjet që prej Kupës së parë të Afrikës, që u organizua në Sudan në vitin 1957. 

Skuadra me më shumë trofe është Egjipti. Faraonët ia kanë dalë t’i shkojnë deri fund kompeticionit në plot 7 raste, ndërsa për herë të fundit trofeu është fituar nga kombëtarja e Nigerisë. 

(a.n/GSH/BalkanWeb)