Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur të mos ekstradojë Fatmir Kajollin, të kërkuar nga drejtësia italiane. Trupi gjykues e ka cilësuar të paligjshëm ekstradimin e Kajollit në Itali, ku ai është dënuar për trafik ndërkombëtar droge, raporton Vizion Plus.


Edhe Gjykata e Fierit pak javë më parë dha të njëjtin vendim, duke pranuar kërkesën e palës mbrojtëse. Kjo e fundit argumentoi kërkesën me parregullsi në letër-porosi. Sipas palës mbrojtëse, në letër porosi mungon garancia, nëse ndaj Kajollit do të ekzekutoheshin ose jo vendime të tjera të marra nga drejtësia në Itali, ku rezulton i dënuar nga gjykata e Romës me 24 vite burg për trafik ndërkombëtar droge dhe nga gjykata e Milanos me 16 vite. Fatmir Kajolli, anëtar i këshillit të bashkisë Fier, u ndalua nga policia rreth dy muaj e gjysmë më parë, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma. Burime nga prokuroria e Fierit bëjnë të ditur për Vizion Plus se do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Lartë.