Ruhu të të ruaj! Kjo është një thënie që i takon Krijuesit. Sipas kësaj shprehjeje, duhet që çdo njeri duhet të ruajë jetën e tij dhe të njerëzve të tij. Që tek vota që hedhim duhet të mendohemi se "qeveritarët që po zgjedhim, a do na ruajnë apo do të na dorëzojnë si pre të interesave të tyre egoiste e korruptive?".


Tragjeditë e viteve të fundit, duhet të na edukojnë se duhet të rritet më shumë përgjegjësia e vetëmbrojtjes. Gjermanët shtrihen mbi shinat e trenit dhe s'lejojnë që mbeturinat radioaktive të shkojnë në destinacion "duke mos e pyetur fare qeverinë, madje duke e kundërshtuar atë me vetëmohim!", ndërsa neve jetën tone ja lemë në dorë qeverive që janë dëshmuar krejtësisht të paafta, duke e lënë këtë vend të vogël, në fund të vendeve të Europës...


Sepse jemi edukuar se " qeveria i di të gjitha!", se "qeveria del nga populli dhe mendon e punon për popullin" . Në përgjithësi mendojmë dhe s'e vrasim shumë mendjen për vetëmbrojtje se: Qeveria "urdhëron" varkën se sa njerëz duhet të mbajë e të mos fundoset, qeveria e di me saktësi se në Gërdec duhet ngritur fabrika e demolimit të municioneve dhe në asnjë vend tjetër, qeveria e di se si gomonia duhet nisur mbi kapacitet, qeveria e di se ku dhe kur të ngrejë Centrale Atomike.


Në kohën e demokracisë, ka vend për thirrjen: "Popull, mos e lini veten në duar të papërgjegjësisë, qoftë kjo edhe me kostum qeveritarësh! Bëhu zot i fateve të tua!". Mos harroni se dhe Krijuesi ka thënë: "Ruhuni, që t'u ruaj!".