Kandidatët për kryetar të Ferizajt, në ditën e dytë të kampanjës elektorale, kanë folur për ofertat e tyre për zhvillimin e kësaj komune. Por LDK’ja dhe PDK’ja shkëmbyen akuza kundër njëra-tjetrës për shfrytëzim të nxënësve të shkollave për qëllime të kampanjës. E, kandidati i Vetëvendosjes kishte dalë të takojë bujqit dhe fermerët.

Në ditën e dytë të kampanjës elektorale për karrigen e të parit të Ferizajt, partitë politike kishin zgjedhur forma të ndryshme për të bërë propagandë elektorale. Disa prej tyre u takuan me operatorë ekonomikë të komunës, disa kritikuan njëra-tjetrën, e disa takuan bujqit dhe fermerët.

Kandidati i AAK’së, Naim Ferati kishte zgjedhur ditën e martë që të takoj operatorët ekonomikë të komunës së Ferizajt, duke premtuar lehtësi për bërje të biznesit. Sipas Feratit, nëse ai e fiton Ferizajn, do të krijojë lehtësira për prodhuesit vendorë.

“Puna ime e parë si kryetar komune do të ishte një takim me të gjithë prodhuesit, jo vetëm ata vendorë, por edhe ndërkombëtarë, që të shikojmë mundësitë e investimeve dhe krijimin e zonave të reja ekonomike. Pastaj ulja e taksave deri në minimum, lehtësi të tjera administrative dhe mbështetje në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës”, ka thënë Ferati.

Faton Topalli, kandidati i Vetëvendosjes për Ferizaj, kishte zgjedhur që ditën e martë të vizitojë bujqit dhe blegtorët e fshatit Mirash. Topalli ka kërkuar votën e fshatarëve të Mirashit, duke u premtuar atyre mbështetje të plotë nëse zgjidhet kryetar komune.

“Plani qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje për bujqësi përbëhet nga tri shtylla kryesore. Ato janë dyfishimi i subvencioneve, zyrat për këshillim dhe orientim për bujq dhe subvencionimi i produkteve strategjike për treg dhe industri”, ka thënë ai.

Në fshatin Mirash ka folur edhe Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se degradimi i bujqësisë nuk ka ardhur për shkak se bujqit nuk dëshirojnë ta punojnë tokën, por se shteti nuk ka bërë asgjë që bujqve t’ua lehtësojë punimin e tokës.

“Prej storieve që po dëgjojmë, është bërë më shtrenjtë të punohet toka, sesa të mos punohet fare. Një litër naftë kushton njëjtë si për traktor, ashtu edhe për veturë. Nëse dëshiron me marrë kredi në bankë, ajo vjen me 24 për qind. Këto janë probleme me të cilat shteti nuk është marrë”, ka thënë Ahmeti.

E AKR’së, siç duket, nuk i ka nisur mbarë kjo fushatë. Pasi hapja zyrtare e ditës së hënë kishte dështuar për këtë parti, për mungesë të simpatizantëve, edhe ditën e martë, takimi kishte nisur gjysmë ore me vonesë. Kjo për shkak se salla ishte e zbrazët, dhe kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli po pinte kafe aty afër deri sa të mbushej salla.

Por me të nisur fjalimet brenda në sallë, nuk munguan akuzat e Pacollit drejtuar ‘hajnave’, të cilët i zgjasin duart në xhepat e të tjerëve.

“Me retorikë dojnë që të përvetësojnë publikun. E patë se krejt këto janë premtime bosh, dhe ata njerëz u provuan, u stërprovuan dhe prapë ne ngecëm në të njëjtën situatë”, tha Pacolli.

Por LDK’ja dhe PDK’ja kishin zgjedhur që ditën e martë ta përdorin për hedhje akuzash dhe kundërakuzash ndaj njëra-tjetrës.

LDK’ja fillimisht akuzoi PDK’në se kishte manipuluar opinionin me spotin e kandidatit të saj, Agim Aliu, i cili në spot shfaqet duke votuar në Asamblenë e Komunës, inserte këto që LDK’ja i quajti vjedhje dhe shkelje të ligjit.

LDK’ja gjithashtu akuzoi anëtarë të PDK’së se kishin shkuar në një shkollë të fshatit Mirosalë, duke ndërprerë mësimin, dhe u kanë kërkuar nxënësve që të marrin pjesë në takimin elektoral.

Zyrtarë të PDK’së nuk e mohuan se kishin vizituar atë shkollë, por arsyetuan se kishin shkuar t’i porositin nxënësit që t’u thonë prindërve të marrin pjesë në tubim elektoral, e jo nxënësve.

Kampanja elektorale do të vazhdojë deri ditën e premte, 27 prill. Zgjedhjet për të parin e Ferizajt do të mbahen ditën e diel, më 29 prill.