Nga Mero Baze


Në shumë vende të botës ku demokracia ka humbur standartet e saj, si në Shqipëri, regjimet mbijetojnë nga diktatorë që i japin fund vlerave të demokracisë, por që mbijetojnë me oferta të tjera për shoqërinë, të cilat justifikojnë mungesën e demokracisë. Në përgjithësi, regjime të tilla, ashtu sikundër dhe ish regjimi ynë komunist, mbijetojnë me bilance të tjera sociale dhe morale mbi shoqërinë. Fjala vjen, ato zhvillojnë arsimin, zhdukin krimin, vendosin rendin, vendosin kontrollin mbi territorin, disiplinojnë ndërtimet, i japin prioritet shëndetësisë, zhdukin drogën dhe prostitucionin, kontrollojnë tregun dhe mirëqenien minimale etj si këto. Falë këtyre arritjeve, regjime të tilla, edhe pse të urryera, arrijnë të kompensojnë për një farë kohe mungesën e lirisë dhe demokracisë, duke i kompensuar ato me shumë siguri në aspekte të rëndësishme të jetës njerëzore.


Rasti më i keq dhe më degradues për regjimet është ky i yni. Ky me siguri është regjimi më atipik në botë. Si gjithë regjimet, ky ka zhdukur demokracinë dhe të drejtën për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ka zhdukur zgjedhjet e lira dhe lirinë e shtypit. Ka degraduar opozitën dhe ka nën kontroll gjithë institucionet. Pra, ka bërë pak a shumë atë që bëjnë gjithë regjimet për ti pasur gjithë pushtetet në duar.


Por, ndryshe nga regjimet e tjera, gjithë pushtet e grumbulluara në një dorë, këtu shërbejnë vetëm për një qëllim: thjesht garancinë që regjimi të ketë gjithnjë pushtetin.


Diktatori ynë është një plak që të bën dhe të gajasesh dhe të pataksesh kur flet, një i paaftë që ka bërë lëmsh financat e vendit, një delirant që ka keqorientuar ekonominë e Shqipërisë, sikur të ishte mulli me erë, një burrec që ka futur Shqipërinë në luftë civile me një mesatare prej 3 vrasjesh në ditë, më e larta për frymë ndoshta në botë, një Neron që ka futur Shqipërinë në flakë dhe nuk gjen dot një kovë ujë ta fikë, një diktator qesharak që nuk tremb dot as laraskat, por që mban gjithë frenat e pushtetit në dorë të mos i marrin karrigen.


Pra, ndryshe nga çdo shoqëri që jeton nën regjime atipike jo demokratike, shoqëria jonë është e dënuar të vuajë mungesën e lirisë dhe demokracisë, por dhe mungesën e shtetit, mungesën e rendit, mungesën e sigurisë fizike për pronën dhe mjedisin, mungesën e shërbimit shëndetësor, mungesën sigurisë në punë, mungesën e sistemit arsimor, dhe gjithë mungesat e tjera sociale, që nga rrogat dhe pensionet, tek vendi i punës apo sigurimet.


Shoqëria jonë, ndryshe nga gjithë shoqëritë e tjera në botë, vuan edhe nga mungesa e demokracisë edhe nga mungesa e diktaturës, ose më mirë të themi që jemi të ekspozuar para gjithë të këqijave të demokracisë dhe para gjithë të këqijave të diktaturave.


Këtu je i lirë të ëndërrosh që je në demokraci, por nuk je i lirë të votosh apo të kesh një medie të lirë, ashtu sikundër mund të jesh i keqkuptuar se jeton nën një regjim autoritar që tremb opozitën dhe medien, por nuk tremb dot kriminelin në rrugë, zjarrvënësin në pyll, hajdutin në zyrë dhe gjobëvënësin në gjykatë.


Ne jemi një shoqëri që paguajmë një çmim të lartë për tranzicionin që po zgjatet mbi 20 vjet, një shoqëri që përjeton degradimin e sistemit arsimor, degradimin e sistemit shëndetësor, degradimin e veprave të mëdha energjike që po shiten për të blerë Berisha Benz të blinduar dhe Nishani ashensor, degradimin e tregut të punës dhe sigurisë, degradimin e rendit publik, degradimin e kontrollit mbi territorin, dhe natyrisht dhe sëmundjet e një demokracie të degraduar, siç janë humbja e lirisë së shtypit, humbja e së drejtës për tu numëruar votat dhe humbja e të drejtës për të ndëshkuar regjimin.


Kjo shoqëri atipike e krijuar nga presioni i një pushteti të grumbulluar i gjithi në një dorë, është ndoshta shoqëria më e traumatizuar në glob, pasi këtu njerëzit janë të lirë të ëndërrojnë si në demokraci dhe të dënuar të ndëshkohen si në diktaturë, janë të lirë të ëndërrojnë një regjim autoritar me gjithë të mirat dhe të këqijat e tij dhe ndeshen vetëm me të këqijat e tij.


Të gjithë diktatorët në gjithë kohërat, kur shkaktojnë debat pas vdekjes së tyre, ka plot ithtarë që u kujtojnë të mira dhe të këqija. Enveristët tanë i kujtojnë Enver Hoxhës zhdukjen e analfabetizmit, ngritjen e ambulancave në çdo fshat të Shqipërisë, cilësinë e lartë të arsimit universitar, ngritjen e veprave energjetike mbi lumenjtë shqiptarë dhe zhvillimin e industrisë minerare.


Po këtij që sot drejton Shqipërinë me dhunë dhe me gjithë pushtetet në dorë të Familjes së tij, do ti kujtojmë që sa herë është në pushtet vriten tre persona në ditë, gratë dhe vajzat nuk dalin dot me varëse dhe orë në rrugë, digat dhe hidrocentralet e shitura, minierat e shkatërruara ku vdesin përditë njerëz, mungesën e ujit dhe dritave, mungesën e vendeve të punës dhe pasigurinë e jetës, shkatërrimin e arsimit dhe shëndetësisë, shkatërrimin e pronësisë reale mbi tokën, shkatërrimin e institucioneve të shtetit, eliminimin e pavarësisë së gjykatave dhe prokurorisë, futjen nën kontroll të presidentit dhe SHISH, dhe më në fund dhe një vepër të qartë antikombëtare, për të cilën Kushtetuta dhe Kodi Penal parashohin dënim të përjetshëm: shitjen e territoreve.


I vetmi rekord që ja kemi pranuar pa dëshmitarë, është rekordi i notit , por dhe atë, jo se e besojmë, por se kemi nevojë të tallemi me të. Si me çdo diktator qesharak, të cilët nuk të lënë as të qash, e as të qeshësh.