KAIRO- Një bombë artizanale ka shpërthyer  në një pikë kontrolli të policisë, shumë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit. Bilanci i plotë i viktimave ende nuk dihet ndërsa deri më tani mes viktimave të konfirmuara janë dhe dy policë.

Bomba ka shpërthyer në lagjien Boulaq Abu Eila, ku ndodhet dhe Ministria e Punëve të Jashtme egjiptiane dhe sipas televizionit publik ka shumë të plagosur dhe viktimat janë tre, ndërsa për al Ahram numri ka shkuar në 4. Ajo që konfirmohet, deri më tani, është se gjatë atentatit kanë humbur jetën dy policë.

Eksplozivi mendohet të ketë qënë fabrikuar në mënyrë artizanale dhe ishte vendosur në një pemë që ndodhej përballë pikës së kontrollit të Policisë, jo shumë larg nga hyrja e mbrapme e ministrisë. Ndërsa dhe 5 shkolla janë zbrazur, për arsye sigurie, fill pas atentatit.

Egjipti po përshkohet nga një valë dhune qysh kur ish Presidenti Mohammed Morsi, i lidhur ngusht me Vllazërinë Myslimane, u hodh nga pushteti me anë të një grushti shteti nga ana e ushtrisë, më 3 Korrik 2013. Fushata e dhunës ka vënë nën shënjestër më së shumti forcat e sigurisë në vend, fillimisht në gadishullin e Sinait dhe së fundi edhe në Kairo.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)


Ndiqni Shqiptarja.com në
Facebook dhe në
Twitter