Ekrem Spahia / foto arkiv


Kreu i PLL rikthehet në qendër të vëmendjes me deklaratat e tij kundër komunitetit gei, madje kësaj radhe duke iu drejtuar edhe trupit diplomatik në vendin tonë.


Në një deklaratë për shtyp mesditën e sotme, Ekrem Spahia kërkoi largimin e ambasadorit holandez, Henk Van Der Dool. Ambasadori holandez, Henk Van Der Dool, duhet të shpallet person i padëshiruar në vendin tonë dhe të largohet, u shpreh Spahiu.


Kreu I PLL-së u shpreh se ambasadori holandez fyen zyrtarët shqiptarë me qëndrimet e tij, duke dalë jashtë rolit dhe statusit të diplomatit.


“Ambasadori holandez nuk ka folur për çështje të rëndësishme, por vetëm për LGBT. Ai nuk duhet të dalë jashtë rolit dhe statusit të diplomatit dhe nuk duhet të fyejë deputetët e vendit ku shërben, theksoi Spahia.


Spahia i kërkoi policisë shqiptare të mos lejojë zhvillimin e manifestimit që komuniteti gei ka planifikuar të mbajë të enjten në Tiranë.


Pak ditë më parë, ambasadori holandez në Tiranë u shpreh në një intervistë se do të marrë pjesë në paradën e komunitetit LGBT dhe u shpreh se qëndron në të njëjtën linjë me reagimin publik të BE-së në lidhje me manifestimin.


Me siguri që ju e keni parë reagimin publik të BE-së, pjesë e të cilës kam qenë edhe unë, nuk dua që të harxhoj shumë kohë me këtë por më lejo të them që injorantë ka gjithandej. Unë ndjej që njerëzit duhet të edukohen në lidhje me këtë. Është e rëndësishme që njerëzit të informohen, të edukohen, tha Van Der Dool. / G.N.