TIRANË- Ekstradohet nga Italia Xhemal Korra, i dënuar për trafik fëmijësh. Sipas vendimit të gjykatës, i riu kishte trafikuar dy të mitur në Greqi, me qëllim shfrytëzimi si lypsa nën dhunë fizike dhe psikike. Megjithatë, dyshohet se trafikimi ishte bërë në marrëveshje me prindërit, të cilët merrnin nga dy fëmijët shuma të konsiderueshme parash.
Ekstradimi
Interpol-Tirana bëri të mundur ekstradimin nga Italia të një 30-vjeçari, i cili është dënuar me 16 vjet burg për trafik të miturish. Ekstradimi i Xhemal Korrës nga Elbasani u bë i mundur dje pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 315, datë 14.10.2003, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të fëmijëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 128/b, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 14, datë 25.06.2004, e ka dënuar 30-vjeçarin me 16 vjet burg. Sipas vendimit të gjykatës, Xhemal Korra, në bashkëpunim me të atin, Agron Korra, gjatë periudhës 1999-2000 kanë trafikuar në Greqi të miturit D. F. dhe Xh. F., me qëllim shfrytëzimi si lypsa.
Shfrytëzimi
Fillimisht është shfrytëzuar i mituri D. F., i cili ka qenë 12 vjeç në periudhën që është dërguar në Greqi dhe më pas e motra e tij e mitur, Xh. F. Të ardhurat që siguronin duke lypur të miturit ia jepnin të pandehurve Xhemal dhe Agron Korra, të cilët ushtronin mbi to dhunë fizike dhe psikike, ku i mituri D. ka ende shembje në këmbë. Rreth 300.000 dhrahmi në muaj ata ia dërgonin prindërve të të miturve. Shfrytëzimi ka vazhduar për dy vjet dhe në disa raste janë kapur nga policia e janë dërguar në Shqipëri, por me ndihmën e të pandehurve janë rikthyer në Greqi deri në momentin kur i dëmtuari D. është goditur nga një makinë në semafor dhe është shtruar në spital. Më pas është dërguar në një shtëpi fëmijësh e quajtur “Papaf” së bashku me motrën e tij.
Protestat në Kakome bllokojnë sërish punën në fshatin turistik
SARANDË - Kakomeja vazhdon të jetë molla e sherrit mes banorëve dhe firmës ndërtuese të fshatit turistik. Ata nuk kanë lejuar as dje depërtimin e mjeteve të rënda të firmës, të cilat ishte nisur me bazën materiale dhe punëtorët për të nisur punën. Por banorët kanë bërë gardh me trupat e tyre duke mos lejuar hyrjen e makinave dhe punonjësve në zonën ku është planifikuar për tu ndërtuar fshati turistik. Në mbrojtje të banorëve ka qenë edhe Kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kume. Ai është shprehur se territori është në menaxhimin e komunës dhe askush nuk mund të bëjë ndërtime pa aprovimin e saj. Ndërkohë, në vendngjarje kanë qenë edhe forca të shumta policie, por ato thjesht kanë ndjekur zhvillimin e situatës. Bëhet fjalë për Policinë e Rendit të Komisariatit të Sarandës si dhe për një polici private që shoqëronte makinat e firmës.
Banorët kanë qëndruar në rrugë përgjatë gjithë ditës dhe janë zotuar se nuk lëvizin nga rruga pa ikur më parë firma e ndërtimit me mjetet e saj. Madje ata kanë ndezur edhe një zjarr, pasi i ftohti që ka përfshirë vendin ka prekur edhe bregdetin. Kjo është e disata herë që prej vitit 2004 që banorët e Nivicës bllokojnë projektin për ndërtimin e fshatit turistik në këtë zonë. “Nuk lejojmë ndërtimin e fshatit, pasi aty kemi pronat tona. Më parë duhet të bëhet një marrëveshje me banorët”, - u shprehën protestuesit.
Në fillim të korrikut të këtij viti, KRRT-ja e qarkut të Vlorës ka miratuar zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit për fshatin turistik të Kakomesë. Këshilli miratoi me shumicë votash zgjatjen e lejes së ndërtimit për fshatin turistik, të Kakomesë. Ky vendim i organit vendimmarrës ne fushën e ndërtimeve në shkallë qarku i dha të drejtën kompanive ndërtuese për të zgjatur afatin e lejes ndërtimore, leje e cila ishte kërkuar në qarkun e Vlorës nga vetë firma. Punimet e këtij objekti kanë filluar dhe janë ndërprerë për shkak të problemeve gjyqësore midis investitorit dhe pronarëve të tokës.