24/04/2009  Pranimet në universitetet për maturantët që janë arsimuar jashtë vendit


Formularët A-2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor


Përllogariten notat e provimeve të detyruara për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, teksa kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike të vendit tonë për vitin 2009-2010. Deri në mbyllje të këtij muaji, komisioni i posaçëm i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit për ekuivalentimin e diplomave të kësaj kategorie maturantësh duhet të publikojë notat përkatëse të lëndëve të detyruara (këto të konvertuara sipas sistemit tonë arsimor). Sipas rregullores së provimeve, këto rezultate duhet t’u shpërndahen drejtorive arsimore të çdo rrethi, ku maturanti ka vendbanimin. Komisionet e maturës të ngritura pranë drejtorive arsimore, pas marrjes së këtyre rezultateve duhet të caktojnë shkollën ku kandidati do të paraqitet për dhënien e provimeve me zgjedhje, si dhe do të plotësojë formularët A-1 dhe A-2. Njëkohësisht këtij komisioni do t’i dërgohen edhe notat që janë ekuivalentuar për provimet e detyruara që janë dhënë nga maturanti kur ka mbaruar arsimin e mesëm. Gjithashtu ky komision duhet të dorëzojë zyrtarisht edhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A-1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 maj 2009. Më pas këta kandidatë do të hyjnë në garën e përzgjedhjes se preferencave. Formularët A-2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në komisionin shkollor të maturës shtetërore. Shtetasit shqiptarë që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Përzgjedhja e këtyre të fundit do të bëhet në bazë të pjesës speciale të konkursit që secila akademi do të kryeje për pranimet universitare.


Dozat


Për mbrojtjen e fëmijës nga sëmundjet ngjitëse vaksinimi i fëmijëve nga 0-15 vjeç është falas dhe i detyrueshëm. Ky i fundit ofrohet pranë të gjitha institucioneve shëndetësore publike sipas kalendarit tashmë të përcaktuar nga Shëndeti Publik. Pjesa dërrmuese e vaksinave mbrojtëse janë të detyrueshme të bëhen sipas një moshe të caktuar nga 2 deri në 18 muaj.