ELBASAN- Është zhvilluar me 2 orë vonesë procesi i përzgjedhjes së drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Qarkun e Elbasanit. Shkak për vonesën u bë vrasja e një nxënësi në ambientet e brendshme të shkollës profesionale në qytetin e Durrësit. E pranishme në këtë garë ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, e cila e nisi fjalën e saj me një ndjesë për jetën e pafajshme që u ndërpre në mes nga një bashkëmoshatar i tij. Pesë ishin kandidatët të cilët konkurronin ndërmjet tyre për t’u bërë drejtor të DAR: Roland Baxhaku, Emir Çela, Elisabeta Myftari, Zyhra Bedalli dhe Jonida Cungu.
Në fjalën e saj ministrja Nikolla tha se “shkolla duhet të jetë vendi ku përhapet dija dhe do të kërkojmë që të rrisim sa më shumë performancën në këtë tempull. Dua të konfirmoj para jush se arsimi është prioriteti kryesor i qeverisë Rama dhe siguria në shkolla duhet të ndyshojë, që jeta e fëmijëve tanë të jetë e sigurtë në institucionin e arsimit”.
Më tej ministrja shtoi se “emërimet deri tani në arsim janë bërë në mënyrë nepotike, duke ulur ndjeshën profesionalizmin në shkollat e vendit. Në Qarkun e Elbasanit ish-drejtori i DAR, abuzoi me detyrën, por ne nuk e larguam atë menjëherë nga detyra kur erdhëm në pushtet dhe, këtë gjë e bëmë për të vetmen arsye që duam të largojmë politikën nga arsimi”.
“Disa mësues i detyrojnë nxënësit të paguajnë para, për t’i dhënë dije dhe këtë gjë e bëjnë në mënyrë private më orë shtesë (me lekë në dorë), ndërsa ligji e ndalon rreptësisht këtë metodë të mësimdhënies”, e mbylli fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla.
Pasi u dëgjuan të pestë kandidaturat, juria e përzgjedhur nga njerëz me integritet të lartë arsimor, vendosi që në krye të Drejtorisë Arsimore Rajonale për Qarkun e Elbasanit të ishte mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, Jonida Cungu.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)