Autori i Lajmit: Redaksia




Ka provuar ndjenjën e të qenit nënë, kur rreth dy vjet më parë ka lindur djalin Roan dhe në atë kohë e shihte me dyshim, nëse do ti rikthehej karrierës sërish apo jo. Enada Hoxha, solistja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, e cila u martua me balerinin Gert Vaso, duket se tashmë nuk ka më dyshime. Nënë dhe bashkëshorte, tashmë është gati që të kthehet seriozisht në rrugën e baletit, aty ku e la…

Nëna-balerinë sfidon kolegët italianë

Shfaqja e re e baletit italo-shqiptar “Carmen” do të ketë si protagoniste Enada Hoxhën dhe Paola Acosta-n. Ajo është menduar të jetë premierë sonte, më 11 prill në TOB dhe përbën dhe premierën e tretë gjatë këtij sezoni të TOB-it, e realizuar me koreografi të Fredy Franzutti-t dhe përmban muzikë të katër autorëve Bizet, Albéniz, Chabrier, Massenet. Sqarojmë se libreti i baletit me dy akte është ngritur mbi tregimin me të njëjtin titull të Prosper Mérimée-së. E veçanta e kësaj vepre është se Koreografi Franzutti ka marrë përsipër të realizojë edhe skenografinë e kostumet e këtij baleti. Ajo mendohet që të jetë premierë më 11 prill, ora 19.00 dhe do të jetë pastaj edhe më 13, 14 dhe 16 prill. Kjo shfaqje është një bashkë prodhim i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe kompanisë italiane "Balletto del Sud" dhe rolet kryesore janë të ndara mes solistësh shqiptarë dhe italianë. Karmeni interpretohet nga Enada Hoxha dhe Paola Acosta, Joze është Ervis Nallbani dhe Karlos Moltalvan. Eskamilo interpretohet nga Gerd Vaso dhe Alessandro De Ceglia, Zuniga nga Sokol Zhugri, kurse në rolin e Mikaelës është Ledia Sula dhe Paola Acosta. Në të katër netët, Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës, e drejton dirigjenti Francesco Libetta.

Karriera e Enadës

Gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka marrë vlerësime maksimale nga kritikat mbarë europiane. Ajo ka shkëlqyer për shumë vite në skenën shqiptare, talenti i saj i jashtëzakonshëm, tashmë i ka kaluar muret e vendlindjes së saj, duke u bërë balerina më e famshme, edhe jashtë kufijve. Kulmin e karrierës së saj artistike, Enada do ta arrinte në 2005, kur gjatë një aktiviteti shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, të zhvilluar në Kanë të Francës, mes qindra balerinave nga e gjithë bota, ajo do të fitonte çmimin e madh ndërkombëtar, “Ylli i Baletit”. Ky çmim u përforcua akoma më shumë, me date 4 shtator 2005, ku ajo do të ishte e ftuara e nderit tek “Nata Gala”, ku u dha edhe “Çmimi Ndërkombëtar i Komunikacionit dhe Turizmit në Mesdhe”. Ky aktivitet i organizuar mbi një numër evenimentesh, spektaklesh dhe takimesh, u mbyll me Galanë e datës 4 shtator, ku Enada Hoxha kërceu me drejtorin e baletit të Puglias, Toni Candeloro, pjesën e baletit nga “Aubade”, të cilën e pati interpretuar edhe në Festivalin e Kanës. Në vitin 2002 Enada dhe Gerti janë dekoruar nga presidenti i Republikës, me titullin “Ambasadorë të Kombit”, ndërsa në 2005, ata janë shpallur nga revista kulturore “Kult”, si “Balerinët e vitit 2005”. Në skenë është ngjitur për herë të parë në moshën 18-vjeçare me baletin “Zhyzel”. Që nga ajo kohë, ajo ka interpretuar shumë role, por ndër ta po përmendim, “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Arthyesi”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i Mjelmave”, “Bajdera”, “Halili dhe Hajria”, “Gjergj Elez Alia”, “Plagët e Gjergj Elez Alisë”, “Hamleti”, “ Lejdi Makbeth”, “Mulerush”, “Gladiator”, si dhe ka marrë pjesë në tango, festivale dhe spektakle të ndryshme, duke filluar nga “Kënga Magjike”, festivalet në Radio-Televizion, Festivali “Marie Kraja”, “Telebingo Kombëtare ”, “Miss Albania” e shumë evenimente të tjera. Veç baletit, ka pasion edhe koreografinë dhe çdo gjë tjetër, që ka lidhje me artin dhe baletin.



Ky lajm është publikuar: 11/04/2010