Shumica e pikëpyetjeve të Gërdecit ende në fuqi. Dje u mor në pyetje komandanti i armatim-municionit në Komandën e Forcave Ajrore, i cili shpjegoi mënyrën e përzgjedhjes së predhave që shkonin për çmontim



TIRANË – Saktësisht 36 ditë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, grupi hetimor i çështjes edhe pse i përbërë nga prokurorë dhe hetues me përvojë ende nuk ka një konkluzion përfundimtar për sasinë e municioneve që u transportuan me automjetet e ushtrisë drejt fabrikës së vdekjes. Aq më pak nuk ka ende një konkluzion përfundimtar për sasinë e çmontuar, për skrapin e shitur dhe ndonjë diferëncë të mundshme mes sasisë së hyrë në fabrikë, asaj të çmontuar dhe asaj të shkatërruar nga shpërthimi i 15 marsitqë mund të nxirrte në pah dhe dyshimin për abuzime, ose trafik me municionet. Një fakt i tillë u konfirmua zyrtarisht dje për “Korrierin” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se ende nuk kemi arritur në përfundimin se cila ishte sasia e municioneve që u transportua dhe u demontua në fabrikën e Gërdecit. Por pavarësisht nga kjo mungesë në hetim, burimet thanë se mbi këtë çështje po hetohet intensivisht. Duke ju referuar të dhënave nga burime konfidenciale rezulton se për këtë çështje, por dhe mbi përzgjedhjen e municioneve të destinuar për shitje dhe demontim, dje dha shpjegime në prokurori komandanti i armatim-municionit në Komandën e Forcave Ajrore, Major Besnik Dauti. Në cilësinë e pjesëtarit të komisionit që duhet të përzgjidhte predhat e destinuara për çmontim dhe ato për shitje, Major Dauti ka deklaruar se kjo përzgjedhje është bëtë në bazë të eksperiencave të mëparshme për demontimin e predhave, që kryheshin në fabrikat e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekëzit. Burime nga prokuroria thanë për “Korrierin” se komandanti i armatim-municionit pranë Forcave Ajrore në dëshminë e tij deklaroi se i gjithë municioni i destinuar për çmontim dhe çmilitarizim është përzgjedhur në bazë të vjetërsisë së tij. “Është mbajtur parasysh viti i prodhimit dhe përdorshmëria e municioneve, kjo në bazë dhe të eksperiencave të mëparshme për demontimin e municioneve”- mësohet të ketë dëshmuar Dauti, i cili gjithashtu foli edhe për caktimin e çmimit të municioneve të destinuara për shitje. Si pjesë e komisionit të përcaktimit të çmimit Dauti është shprehur se fishekët janë shitur me një çmim të favorshëm, duke mbajtur një mesatare mes shitjeve të mëparshme dhe çmimeve aktuale të tregut. Mësohet se komisioni i ekspertëve që sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.138 duhet të përbëhej nga ushtarakë, ekspertë, juristë dhe ekonomistë, një fishek e ka shitur me 0.001 dollarë, çmim ky që është quajtur i pranueshëm nga ekspertët. E ndërsa prokuroria analizon materialet e mbledhura edhe pse prej ditësh nuk ka një konkluzion konkret, oficerët e policisë Gjyqësore morën në pyetje 10 nga ish-punonjësit e fabrikës së Gërdecit, emrat e të cilëve janë në listën me 120 persona, që sipas prokurorisë ndodheshin në punë ditën e shpërthimit.