Finalja e edicionit të katërt të Konkursit të Fotografisë Artistike, e cila u zhvillua më 31 tetor në qytetin e Fierit, shpalli fitues Endri Danin me fotografinë e titulluar "Dhoma e Oxhakut". Çmimi i dytë i takoi fotografit nga Kosova Arton Humolli me "Bukuria shqiptare" dhe i treti Mirel Gjyzarit me fotografinë "Mendje e hapur".





Këtë vit në "Fokus" kanë marrë pjesë 115 fotografë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i zi, Maqedonia, Italia, Anglia, Amerika, Bullgaria, Turqia, India, Bangladeshi, Indonezia dhe 76 prej tyre u ekspozuan në finale.





Ideatorit të aktivitetit Osman Demirit, fotograf nga Maqedonia, i është dashur të seleksionojë mbi 300 foto për të zgjedhur konkurrentët e finales. Juria e këtij viti ishte e përbërë nga Faruk Basha, profesor i fotografisë në Akademinë "Marubi", Enver Bylykbashi fotograf nga Prishtina dhe nga Italia Francesco Licata.