Komsioni i EkonomiseDeputetët e PS-së: Kostoja 1.2 miliardë lekë, të pyetet qeveria


Propozimi – Familjet e varfra të marrin 90 kilovatë/orë energji falas në muaj, nga qershori në tetor dhe 150 kilovatë për 6 muajt e tjerë


Përfituesit – Drafti mbart efekte financiare dhe është bazuar në llogaritjen e rreth 82 mijë familjeve që marrin aktualisht ndihmë ekonomike


Zamir Alushi


Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi nismën e opozitës për t’u dhënë energji falas shtresave të varfra. Projektligji i propozuar nga deputeti i PD-së, Gerti Bogdani Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, përcaktonte një mase kilovatësh energjie elektrike, që do tu jepej falas të gjithë atyre që klasifikohen si familje apo individë në nevojë dhe që përmbushin kriteret për të përfituar ndihmën ekonomike. Sipas relacionit, ky draft mbart efekte financiare dhe është bazuar në llogaritjen e rreth 82 mijë familjeve në nevojë që përfitojnë aktualisht ndihmë ekonomike. Duke pasur parasysh këtë situatë, si dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit për Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkohet që të mos mungojë energjia për ato shtresa që janë në nevojë dhe e kanë të pamundur që ta përballojnë, vjen kjo nismë ligjore e iniciuar nga shoqëria civile. Nisma Thurje i ka dërguar një kërkesë çdo deputeti nëntorin e vitit të kaluar për të miratuar këtë iniciativë. Unë zgjodha që ta mbështes, tha Bogdani. Deputetët e majtë u shprehën se kjo nismë mund të rrisë abuzimet. Sipas tyre, përpara miratimit në Komisionin e Ekonomisë drafti duhet të marrë më parë dakordësinë e qeverisë dhe Komisionit të Çështjeve Sociale. Një nga rregullat që ka Parlamenti është ky: mblidhet komisioni përgjegjës, hap diskutimin, dhe mundet edhe të vendosë, dhe pastaj kërkon mendimin nga ne. Këtu ka ndodhur e kundërta, deklaroi deputeti i PS-së, Anastas Angjeli. Iniciatori është i juaji, komisioni përgjegjës drejtohet nga ju. Duhet të kishte bërë detyrën që bëra unë, të vinte në dijeni qeverinë për këtë iniciativë. Nuk e ka bërë. Atëherë, puna e këtij komisioni ndërpritet këtu, tha kryetari i komisionit, Erjon Braçe. Relatori Andrea Marto propozoi që nisma të rrëzohet. Asnjë projektligj jo qeveritar që rrit shpenzimet e buxhetit të shtetit ose pakëson të ardhurat e tij nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e Këshillit të Ministrave. Nëse Këshilli i Ministrave nuk shprehet, projektligji kalon sipas procedurave të zakonshme. Bazuar në këtë nen, kërkoj nga përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave për mbulimin e kostos prej 1.2 miliardë lekësh. Nëse nuk mbulohet, masat e propozuara janë të pazbatueshme dhe nisma nuk mund të miratohet. Ndërmarrja e një mase të tillë mund të krijojë precedentë për pagesa të tjera si për shembull lehtësim për faturën  e ujit të pijshëm, ose kërkesa nga grupe të tjera sociale që kalojnë vështirësi ekonomike, siç mund të jenë persona me aftësi të kufizuara që do të sillte një rritje të mëtejshme të kostos financiare, tha Marto. Sado të duket një kosto shumë e madhe, nuk është më shumë se 400-500 milionë lekë në vit. Kërkon vetëm vullnet dhe identifikim të familjeve në nevojë. Kostoja për mendimin tim nuk është problem, deklaroi deputeti i PD-së, Ridvan Bode. Drafti, i propozuar nga deputeti Gerti Bogdani, parashikon që familjet e varfra të marrin 90 kilovatë/orë energji falas në muaj, nga qershori në tetor dhe 150 kilovatë për 6 muajt e tjerë më të ftohtë të vitit. Ndërsa Dashamir Shehi përmendi dhe dy arsye të tjera se pse qeveria duhet të lehtësojë familjet e varfra nga fatura e energjisë. Keni çuar policinë të mbledhë lekët, keni rritur çmimin, a do bëni ndonjë lëshim? Si qenka kjo punë kështu, u shpreh Shehi.