14-07-2013 / Gazeta 55

Parlamenti turk miratoi një amendament të ri në kodin që drejton forcat e armatosura. Klauzola e mëparshme i jepte përgjegjësinë ushtrisë në organizimin e grushteve të shtetit, për të ruajtur Republikën e Turqisë. Por sipas ndryshimeve të reja ligjore, detyra kryesore e ushtrisë është mbrojtja e vendit nga kërcënimet e huaja.
Për vite me radhë ushtria ka shërbyer edhe si garantuese e traditës laike. Për këtë ushtria ka organizuar 3 grushte shteti mes viteve 1960 – 1980. Ndryshimet e fundit në kompetencat e ushtrisë janë rezultat i tensioneve të vazhdueshme mes krerëve të forcave të armatosura dhe qeverisë së partisë së kryeministrit Rexhep Taip Erdoan, e orientuar nga rrymat islamike konservatore. Që prej vitit 2003, Erdoan ka ndërmarrë një sërë reformash në reduktimin e përgjegjësive për ushtrinë. Propozimi më i fundit vjen pas protestave masive popullore anti-qeveritare, të nxitura nga një vendim i qeverisë për prishjen e parkut të gjelbër Gezi, në qendër të Stambollit.
Mesa duket Erdogan i druhet një grushti ushtarak shteti, veçanërisht pas atij të Egjiptit që rrëzoi nga pushteti ish-presidentin Mohamed Mursi, i përkrahur nga Vëllazëria Myslimane. Revoltat nisën pikërisht nga hapat e hedhura prej tij, që nisën ta drejtonin Egjiptin drejt ligjeve islamike konservatore.

...