Kunati i ministrit Basha, me anë të avokatit ka kërkuar lirimin e shtëpisë nga masa e sekuestros

TIRANË- Në kohën kur gjyqtarja Shefkije Demiraj po shprehej për vendim në lidhje me procesin gjyqësor të kërkesës së biznesmenit Dionis Teqja, që t’i lirohen llogaritë dhe pronat e sekuestruara, në zyrën e gjyqtarit Sokol Tona zhvillohej gjyqi i kërkuar prej kunatit të ministrit Lulzim Basha, Erion Isufi. Ky i fundit ka kërkuar heqjen e sekeustros së pasurisë së tij, të bllokuar nga prokuroria. Gjatë ditës së djeshme, në sallën e gjyqit mungonte kërkuesi Erion Isufi, por avokati i tij kërkoi nga gjykata të lirohet edhe shtëpia e tij e banimit, pasi nuk ishte liruar nga sekuestrot paraprake të bëra nga vetë prokuroria, katër ditë pas bllokimit. Kjo kërkesë e ka habitur përfaqësuesin e akuzës, i cili është shprehur se “ne si organi i akuzës kemi urdhëruar duke lajmëruar të gjithë bankat dhe zyrat e Hipotekës në Shqipëri për lirimin e këtyre pronave që rezultojnë nën emrin e Erion Isufit”. Në fund të fjalës së tij, prokurori u shpreh se kërkojmë pak ditë kohë për të verifikuar këto pretendime, që sipas avokatit në seancën e radhës do të sjellë dokumentet për të verifikuar këtë bllokim. Pas paraqitjes së këtyre pretendimeve, gjykata vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore duke e shtyrë për në datën 11 nëntor seancën e radhës. Llogaritë bankare dhe kompanitë e Erion Isufit u bllokuan për 4 ditë nga prokuroria, pas nisjes së hetimit për Damir Fazlliç, i cili dyshohet se ka kryer pastrim parash në Shqipëri.


VENDIMI


Ortaku i Isufit, pushohet çështja penale


TIRANË- Gjykata e Tiranës, pas heqjes së masës së bllokimit të llogarive bankare nga prokuroria ndaj ortakut të Erion Isufit,Dionis Teqjavendosi të pushojë gjykimin e çështjes penale. Sipas vendimit të gjyqtares Shefkije Demiraj, e cila shqyrtoi kërkesën e shoqërive “Global Construction” sh.a; “Reno Albania” sh.p.k dhe “Megatek” sh.a të drejtuara nga biznesmeni Dionis Teqja, pas zhbllokimit të të gjitha llogarive bankare ndaj këtij personi nuk do të ketë më as çështje penale në drejtim të tij. “Gjykata pasi hapi seancën, verifikoi pjesëmarrjen e palëve, vërejti se kërkuesit i janë drejtuar gjykatës me një kundërshtim të vendimit të sekuestrimit të llogarive bankare, depozitave bankare dhe dokumenteve si dhe anulimin e bllokimit të të gjitha pronave të regjistruara në hipotekat e vendit. Nga hetimi gjyqësor rezulton e provuar se kërkuesi Dionis Teqja, i përfaqësuar nga avokati Ardian Leka kërkoi pushimin e këtij gjykimi, pasi kërkuesit të cilët përfaqësohen nga ai heqin dorë nga kërkesa etyre paraqitur para kësaj Gjykate ditë më parë”,- thuhet në vendimin e togave të zeza. Gjatë fjalës së tij, prokurori Dritan Rreshka shprehu se është dakord me pushimin e gjykimit të çështjes, pasi gjen mbështetje në ligj. Gjykata, pasi dëgjoi palët vendosi dhe çmoi se duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes për shkak të heqjes dorë të kërkuesit nga gjykimi i kësaj dosjeje. “Për këto arsye, Gjykata vendosi pushimin e gjykimit të çështjes penale me numër akti 1390”,-thuhet në vendimin e firmosur nga gjyqtarja Shefkije Demiraj.