Partia Socialiste, përmes deputetes Ermonela Felaj ka reaguar ditën e sotme duke mbajtur në qëndrim të ashpër ndaj vendimit të fundit të presidentit Bujar Nishani për shkarkimin nga detyra të shefit të Shërbimit Informativ, Bahri Shaqiri duke emëruar në vend të tij Visho Likën, i cili ka qenë drejtor i kundërzbulimit në SHIK, në periudhën 93-97.


“Sali Berisha ka dy ditë që hesht. Hesht teksa dje shërbëtori i tij Bujar Nishani vërtetoi të gjitha dyshimet e opozitës. Dje presidenti i Republikës pushoi së qeni i tillë, kur pa asnjë mëdyshje, plotësoi ëndrrën e vjetër të Sali Berishës, për të vënë Shërbimin Sekret nën kontroll, njësoj si në vitin 1997. Nuk ka shqiptar, që të mos kujtojë makabritetet e SHIK-ut të Gazidedes, që për të mbajtur me pahir Saliun në pushtet, dhunoi, plagosi dhe vrau me qindra shqiptarë të pafajshëm”, – tha deputetja socialiste, Ermonela Felaj.


Ndër të tjera, Partia Socialiste përmes deputetes Ermonela Felaj shprehu shqetësimin se vendimi i përbashkët mes Kryeministrit dhe Presidentit u mor pa pyetur askënd, madje duke shpërfillur edhe aleatin më të madh të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)


Ermonela Felaj: Nishani e vuri SHISH në duart e Berishës, si në 97 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip