Pranë lexuesit vjen Ese të letërsisë shqipe, e mendimtarit të njohur, Ernest Koliqi. Ky është libri më i ri i botuar nga shtëpia botuese IDK. Ky libër i botuar në Itali në vitin 1972, vjen tashmë në shqip, i përkthyer nga Dhurata Shehri.

Libri është një përmbledhje me kumtesa e artikuj të mbajtur në konferenca e kongrese të ndryshme shkencore, të botuara jashtë Shqipërisë, të cilat përfshijnë një periudhe kohore 15 vjeçare, duke filluar nga viti 1953 deri në vitin 1968. Ernest Koliqi në shkrimet e tij tregon aspekte të veçanta të jetës shqiptare si, trashëgimia kulturore, besimet fetare, besëtytnitë e paragjykimet, por edhe virtyte të brendshme njerëzore e etnike, që karakterizojnë genin shqiptar. Në këtë botim Koliqi nuk ka reshtur së sjelluri për lexuesin e veprave të tij një model etik dhe estetik të trajtimit të letërsisë. Ernest Koliqi (1903-1975) është poet, prozator, dramaturg, studiues e përkthyes letrar. Këtë veprimtari e krijimtari letrare e ushtroi gjatë gjithë jetës. U lind në Shkodër në vitin 1903, ku dhe ndoqi mësimet e para në Kolegjin Ksaverian të Jezuitëve. Studimet i kreu në Breshia të Italisë, pastaj në Universitetin e Padovës, ku mbrojti dhe doktoraturën me temën Epika popullore shqiptare. Ai shkroi nën pseudonimet Hilushi, Hilush Vilza, Borizani. Ernest Koliqi u nda nga jeta në Romë më 1975. Ndër veprat e tij janë "Poetët e mëdhaj t'Italisë", "Gjurmat e stinëve", "Hija e Maleve", "Pasqyrat e Narçizit", "Kangjellet e Rilindjes", "Symfonia e Shqipeve", etj.