Fatos Mahmutaj

Misioni evropian EURALIUS, kritikon ashpër Ministrinë e Drejtësisë për mosbashkëpunim institucional në hartimin e ligjeve. Me një raport të publikuar së fundi misioni evropian në ndihmë të drejtësisë shqiptare, bën kritika të ashpra kundër Ministrisë së Drejtësisë, dikaster, për të cilën pohon se: “zor se zbaton praktikat qeveritare”. Në fund të dokumentit të publikuar në ueb-site, institucioni i asistencës në fushën e drejtësisë pohon se: “Praktikat për konsultimin ndërinstitucional të parashikuara në Rregulloren e Këshillit të Ministrave janë të mira për fillim, por ato zor se zbatohen nga Ministria e Drejtësisë. Pavarësisht faktit që nuk janë shumë të detajuara ato mund të bëjnë të mundur, që ministria të organizojë një proces të efektshëm konsultimi me të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë në mënyrë konstruktive dhe koherente”. Duke konkretizuar këtë konstatim Euralius, pohon: “Ekspertiza ligjore dhe teknike nga institucione të tjera të pavarura dhe të varura zakonisht kërkohet në një fazë të avancuar të përgatitjes së legjislacionit, nëse kërkohet ndonjëherë; institucioneve të konsultuara nuk u jepet rregullisht kohë e duhur për të shqyrtuar propozimet legjislative; dhe kapacitetet e koordinimit të ministrisë janë të dobëta. Ky dikaster nuk përdor në maksimum mekanizmat e konsultimit që ka në dispozicion. Fakti që Komisioni i Reformës Ligjore nuk është riformuar është i vështirë për t’u kuptuar, duke pasur parasysh kontributin që ky organ ka dhënë për reformën legjislative në fushën e drejtësisë edhe nëse nuk zëvendëson një proces të gjerë konsultativ. Përveç kësaj, dhe pse puna për zhvillimin e legjislacionit me kontraktim nga jashtë është praktikë e ligjshme, nuk duhet të çojë në reduktimin e rolit të ministrisë si një institucion qendror rregullues në fushën e drejtësisë. Përgjegjësia për këtë është të sigurojë që të gjithë institucionet e drejtësisë të interesuara të përfshihen në të gjitha fazat e veprimit legjislativ dhe që ligjet të mos jenë thjesht rezultat i miratimit të gatshëm të punës së bërë jashtë ministrisë”. Më tej, EURALIUS thotë se rekomandon fuqishëm që kërkesat e ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisë dhe Rregullores së Këshillit të Ministrave, në lidhje me konsultimin ndërinstitucional, të zbatohen me rreptësi. Po kështu EURALIUS pohon se përveç kësaj, në të ardhmen do të ndihmonte dhe zhvillimi i një sërë rregullash të standardizuara “modus-operandi”, ose e thënë ndryshe, mënyrë veprimi me institucionet e sistemit të drejtësisë.