Monedha evropiane ka fituar sërish terren ndaj monedhës vendase. Sipas të dhënave nga agjencitë e këmbimit valutor, një euro blihej me 127 lekë dhe shitej me 127.5 lekë. Gjatë dy javëve të fundit në tregun valutor euro fitoi vetëm 1 pikë në këmbimet ndaj monedhës shqiptare. Por, gjatë dy ditëve të fundit euro ka nisur të fitojë terren. Para dy javësh, 1 euro blihej me 124.7 lekë dhe shitej me 125.2 lekë, ndërsa dje një euro blihej me 127 lekë dhe shitej me 127.5 lekë. Që nga fillimi i këtij viti leku është zhvlerësuar ndaj monedhës evropiane dhe dollarit amerikan. Sipas ekspertëve të ekonomisë, zhvlerësimi i lekut ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë në treg për monedhën evropiane. Ndërkohë një tjetër faktor është edhe ulja e normës bazë të interesit që bëri banka në fund të janarit. Aktualisht norma bazë e interesit është 5.75 për qind. Monedha vendase është zhvlerësuar jo vetëm ndaj euros, por edhe ndaj dollarit amerikan. Në agjencitë e këmbimit valutor një dollar u ble me 98.2 lekë dhe u shit me 98.7 lekë.