Qindra punonjës u evakuuan pas shpërthimit të një zjarri në katet e nëndheshme të zyrave qendrore të Komisionit Evropian në Bruksel. Një reporter i rrjetit britanik BBC raportoi se shpejt shtëllunga të dendura tymi u shfaqën mbi çatinë e ndërtesës në fjalë, ndërkohë që shumë shpesh aty u grumbulluan një numër i madh automjetesh zjarrfikëse dhe të ndihmës së shpejtë mjekësore.



Punonjësi i shtypit, Niko Kipens, tregoi pak minuta pasi kishte lënë ndërtesën se personeli i sigurisë i kishte thënë se në zyrën e shtypit kishte rënë zjarr. Gjithsesi, nga autoritetet e qytetit nuk u raportuan viktima. "Mendoj se u arrit që të evakuoheshin të gjithë në kohë. Nuk pati shenja paniku", tha Kipens për rrjetin BBC, ndërkohë që njerëzve të shumtë që qëndronin përreth ndërtesës iu kërkua nga policia të mbante distancë sigurie.



Ndërkohë që autoritetet nuk dhanë asnjë informacion mbi shkaktarët e zjarrit. Ndërtesa në fjalë, "Berlaymont" është një strukturë çeliku e qelqi në qendër të Brukselit ku punojnë rreth 3 mijë zyrtarë të Bashkimit Evropian. "Në fillim pashë tym korridoreve dhe rreth 20 minuta më vonë njerëzve iu kërkua të linin ndërtesën. Por nuk u aktivizua alarmi", tha më pas një prej punonjësve.



Autoritetet bënë me dije se ndërtesa u boshatis krejtësisht vetëm pak minuta pas dhënies së alarmit. Shumë pak pasi punonjësit qenë larguar mbi ndërtesë u ngritën shtëllunga të dendura tymi. Gazetarët që punonin në atë kohë në dhomat e shtypit, të njohura ndryshe si "Bunkeri", treguan si kishin vënë re një tis tymi që sa vinte e dendësohej për rreth 20 minuta. Treguan gjithashtu se alarmi automatik nuk qe aktivizuar. "Kishte shumë tym. Punonjësit e sigurisë së brendshme vraponin gjithandej për të kuptuar burimin e tymit. Vinte erë shumë e keqe, si gaz", tregoi Darren Enis, i agjencisë "Reuters". "Një zëdhënës i Komisionit Evropian na tha se kishte mundësi që zjarri të ishte ndezur në katet e nëndheshme. Aty gjenden sasi të mëdha letre, si dhe disa magazina. Tymi duhet të ketë dalë mbi tavan përmes sistemit të ventilimit", tregoi reporteri Darren Enis.