Ritmi i lartë i investimeve ka qenë gjatë dekadës së fundit një nga
faktorët kyç që ka përcaktuar rritjen e shpejtë ekonomike të Shqipërisë.



Të dhënat zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se nga viti 2000 deri në 2009, investimet totale në ekonominë shqiptare, ku përfshihen investimet e qeverisë dhe ato të privatëve kanë qenë mesatarisht 28.7 për qind e Prodhimit Kombëtar Bruto. Shifra arriti rekordin në vitin 2008, ku të nxitura edhe nga shpenzimet e larta të qeverisë për rrugën Durrës-Kukës, investimet totale në ekonomi kërcyen në 32.5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto.

Por menjëherë pas atij viti, sapo ekonomia mori goditjen e para nga kriza, ritmi i investimeve filloi të bjerë. Në 2011-ën shifra ra në 25 për qind e Prodhimit Kombëtar, ndërsa për këtë vit sipas vlerësimeve më të fundit të FMN, investimet do të bien për herë të parë në dhjetë vitet e fundit poshtë nivelit 25 për qind. Rënia ka shqetësuar edhe Bankën e Shqipërisë, e cila pralajmëroi se pasojat në ekonomi mund të jenë afatgjata.

Ngurrimi i biznesit për të investuar po cënon presktivën afatmesme të rritjes ekonomike. Rënia e investimeve ka prekur të dy sektorët, si atë publik ashtu edhe sektorin privat. Qeveria po detyrohet t'i ulë investimet e saj nga viti në vit për shkak të rritjes së borxhit publik dhe rënies së të ardhurave në buxhet. Ndërsa biznesi, përveçse po vuan mungesën e likuiditetit, ngurron të investojë edhe për shkak të rënies së konsumit nga qytetarët.