Pasi u kthye te Juventusi, Fabio Kanavaro mendon për luftën për titull. Dëshira e tij kryesore është që Interi të shesë yllin e skuadrës, Zlatan Ibrahimoviç. "Pa Ibrën, zikaltërit janë një skuadër krejt e ndryshme. Shpresojmë që ta shesin", ishte ngacmimi i kapitenit të Kombëtares italiane për kampionët e Serisë A. "Nëse suedezi do të largohet, nuk mendoj që arsyeja janë paratë, por dëshira për të provuar një aventurë të re. Gjithsesi, Interi do të mbetet konkurruese". Më pas edhe disa fjalë për transferimin e Kaka te Reali: "A ka bërë zgjedhjen e duhur? Do të shkojë te Reali i Madridit, me këtë thashë gjithçka. Ky klub ka një histori dhe një strukturë të jashtëzakonshme. Vetëm kur hyn në ‘Santiago Bernabeu‘ e kupton se çfarë skuadër e madhe janë". Ndërsa për Diegon, blerjen e bujshme të Juves, Kanavaro shtoi: "Më ka mahnitur me lojën e tij".