TIRANE -Zyra e administrimit të ish-firmave piramidale ka bërë të ditur se është gati procesi i ndarjes së parave të mbetura për 6 prej shoqërive, të cilat do t'u shpërndahen rreth 30% të kreditorëve, të cilëve nuk kanë tërhequr shumat përkatëse. 

I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi” të gazetares Aurora Sulçe në “News24”, administrator i Kompanive Huamarrëse në Administrim Zini Tollozhina tha se deri tani janë shpërndarë përqindjet përkatëse për rreth 70 të kreditorëve dhe aktualisht ka nisur procesi i shlyerjes së kreditorëve të mbetur që janë rreth 83 mijë. Tollozhina sqaroi se bëhet fjalë për ata kreditorë që nuk kanë tërhequr ende përqindjet e parave që u takojnë nga ndarja e aseteve të firmave piramidale ku kishin futur paratë. 

Emisioni “Të bësh ekonomi” u karakterizua nga debate të ashpra, të nxitura kryesisht nga ish-administratori i Kompanive Huamarrëse në Administrim, Farudin Arapi. Gjithashtu në emision ishin të ftuara edhe Zana Guxholli, ish-këshilltare e Kryeministrit Berisha për Ekonominë dhe Klodiana Lala, gazetare e "Gazeta Shqiptare".

Aurora Sulçe: Zoti Tollozhina, në ç’fazë ndodhet procesi i ndarjes së parave të firmave piramidale?
Tollozhina: Procesi i ndarjes së parave ka vazhduar dhe nuk ka filluar tani. Ka qenë një proces që me daljen e vendimeve të qeverisë në vitin ’99. Ka qenë një proces në vazhdimësi. Aktualisht ne kemi rreth 20-30% të kreditorëve pa paguar. 70% i kanë marrë me koeficientët e vendosur në vendimet e përcaktuara.
Arapi: Në këtë periudhë kohore, veçanërisht pas 2005-ës, ky proces është sabotuar, me dashakeqësi, për interesa personale, të atyre që kanë qenë në krye të atyre proceseve pas largimit tim dhe gjithë stafit drejtues. Futën lloj lloj njerëzish, ky proces ka degraduar. Arsyeja kryesore është që kjo qeveri që erdhi pas 2005-ës nuk e përfshiu në programin e vet maksimizimin e vlerave të kreditorëve. Njerëzit humbën shtëpitë, kursimet e disa viteve, shitën bagëtitë.
Aurora Sulçe: Pse nuk duhen vendosur afate kohore?
Arapi: Të njohësh procesin e skemave piramidale duhet ta marrësh dhe ta njohësh në embrionin e vet. Të dish mekanizmin si funksionuan dhe si do të likuidohen. Nuk mundet që nga paratë e kreditorëve të paguhet një staf. I bëj thirrje kryeministrit, ministrit të financave të bllokojë urgjentisht pagesën dhe nuk mund të preken paratë e kreditorëve. Ne kemi ligje konkrete ku edhe spotet publicitare, të gjithë mekanizmat e tjerë të rimbursohen nga shteti.
Guxholli: Në Hungari ndodheshin pronat dhe pasuritë e VEFA-s. Krijoi qeveria një institucion, 80 veta janë paguar. Rastësisht kam pasur dosjen e tërë të fateve të pasurisë së VEFA-s në Hungari, që administrohej nga ky zotëri. Ato pasuri kalonin nga një dorë tek tjetra. Njëherë i merrte një burrë, njëherë një grua.
Arapi: I ka shitur administratori i Berishës të cilin e shkarkoi për abuzivitet.
Guxholli: Sa xhiro keni bërë me paratë e kreditorëve në Budapest? E dinë të gjithë njerëzit që 95% i shitët për hiç asgjë. I ke rënë botës qark me paratë e kreditorëve.
Arapi: Po shpif. Ke ardhur për të bërë zhurmë politike.
Guxholli: E kuptoj nervozizmin tuaj, ti je në proces penal.
Lala: Në këtë histori ne duhet të na shqetësojnë paratë e kreditorëve shqiptarë. Mua si gazetare me shqetëson fakti që ky proces nuk është transparent. Qytetarë të shumtë kanë trokitur në dyert e Gazetës Shqiptare dhe NEWS 24 për tu njohur me procesin. Kreditorët janë të painformuar.
Guxholli: 95% i shitën, pse nuk i kthyen? 
Arapi: I takon administratorit që ka caktuar Ministri i Financave, unë nuk do të hesht derisa ky ligj i cili bie ndesh me aktet që janë në fuqi, i cili përcakton shprehimisht që asnjë vlerë financiare, edhe për ruajtjen e objekteve, nuk mund të preken vlerat financiare të depozituara. E gjithë praktika deri më sot është antiligjore.
Lala: Zoti Arapi kjo është e keqja më e vogël në këtë histori. Janë njerëz që kanë mbetur në mes të rrugës, sepse kanë humbur paratë.
Tollozhina: Nuk marr përsipër në është ligji i drejtë apo i padrejtë. Vlera vjetore e shpenzimeve të administratës miratohet nga ministri. Paratë janë nga interesat bankare të të gjitha firmave piramidale. Në bazë të informacionit që kam unë, ne posedojmë asete që kryesisht janë apartamente të bllokuara nga debitorë, toka, troje në vende të pashitshme, që nuk ndikojnë në shtimin e vlerës për koeficientë. Në bazë të ligjit këto asete i shet drejtoria e shitjes pranë Ministrisë së Financave. Vlera e pritshme e të gjithë aseteve nuk ndikon në koeficientin e shpërndarjes.
Guxholli: Kjo është një flluskë që duket sikur do të tërhiqen paratë e piramidave.
Aurora Sulçe: Zoti Tollozhina ka paqartësi nga qytetarët, ku duhet të trokasin?
Tollozhina:Është krijuar një konfuzion për shkak të çuarjes në gjykatë të firmës piramidale Sudia. Nuk ka pasur kreditorë të ardhur nga transparenca por kreditorë me vendim gjykate. Vinte dikush dhe shënonte emrin dhe shuma e këtyre dhe numri i këtyre personave është mbi 13 mijë. Kur e shpumë në faliment na thanë që këtë e keni me vendim gjykate. Gjendja e llogarisë së Sudes është 50 milionë lekë të vjetra. Praktikisht të gjithë kreditoret e Sudes që kanë një dokument nuk ja vlen të merren se koeficienti mund të jetë 0,00...
Lala: Ju keni kërkuar hapjen e procedurës së familentit. Qytetarët nuk e dinin që ishte një procedurë falimenti që mund të merrnin ndonjë lek..
Tollozhina:Kjo nuk më takon mua si administrator.
Lala: Qytetarët duhe të marrin edhe një 5 lekësh se ju takon 
Tollozhina: Nuk kam pse gënjej qytetarët
Aurora Sulçe: I bie që qytetarët nuk do marrin lekët e tyre?
Tollozhina: Absolutisht po.
Aurora Sulçe: Po për Suden dhe Gjallicën?
Tollozhina: Kemi bërë thirrje në tre media me këto kofiçientë të vinë të marrin lekët të gjithë ata që nuk kanë tërhequr. Lekët kanë filluar të ndahen që në vitin '99. Gjallica e ka anën financiare në bankë. Vijnë kreditorët që  kanë marrë një këst dhe duan të marrin këste të tjera. Nuk ka këste. Të gjithë kreditorët duhet të kenë kontratën origjinale dhe mandat arkëtimi. 
Arapi:Zotëria po e interpreton ligjin në mënyrë amatoreske dhe të gabuar.
Procesi i transparencës në firmat piramidale ka kaluar në dy shkallë. Skema që kanë qenë në proces hetimi dhe gjykimi mbasi u mbyllën nga prokuroria të gjitha dosjet kaluan në shoqëri huamarrëse.
Guxholli: Paratë nuk kanë ku të gjehen më dhe nuk ka shtet që të thotë që ato që u humbën do ti kthej. Ky është një proces duhet të mbyllet. Nuk ka para për të marrë sepse 95 % janë shitur dhe stërshitur.
Aurora Sulçe: Ish-ministri Bode ka thënë në parlament se 95 % e aseteve janë shpërdoruar. Si janë menaxhuar asetet e firmave?
Arapi: Shitja e aseteve ka përbërë një element të vetëm të kthimit të shumave kreditorëve. Pjesa e parë e shitjeve të aseteve kur i kemi përfshirë në procesin e kthimit të kreditorëve. 
Lala: Kur ju u larguat si e latë gjendjen?
Arapi: Ligji bazë i shitjeve të aseteve ishte ligji mbi të cilin ne operuam deri në 2005. Nga rreth 320 asete u shitën 280 asete. Vlera maksimale në 95% arritën vlerën e tregut. Shoqëria Cenaj nuk ka koeficient 7,2% . Vlera e tyre shkoi rreth 85 milionë dollarë brenda. Ju dhanë shoqërisë Vefa 11%, Kamberi 10,2% dhe shoqërisë Cenaj11%. Me shitjen e aseteve janë marrë kompanitë e huaja.
Aurora Sulçe: Zonja Guxholli, si u menaxhuan sipas jush?
Guxholli: Për 8 vjet rresht shqiptarët e dinë se sa kanë marrë këta. Procesi në fakt është i vdekur.
Lala: Duhet negociuar me shtetet ku mendohet se ka pasuri. Greqia është vendi që ka më shumë prona dhe pasuri e llogari bankare. Nuk dimë realisht se çfarë ka ndodhur. Unë di që vlerat aktuale janë qesharake. Ne po u ngremë mendjen shqiptarëve, shko bëni dokumentet dhe harxhoni paratë që keni. Zoti Tollozhina sa është vlera e parave që keni?
Tollozhina: Unë nuk flas për miliona. Gjithë shqiptarët që kanë futur lekë në firmat piramidale për pjesën që ata nuk kanë marrë, nuk ka këste. Vlera e lekëve që janë të depozituara është vetëm për atë pjesë që nuk ka marrë lekë asnjëherë.
Aurora Sulçe: Sa para ka dhe sa kreditorë kanë mbetur?
Tollozhina: Për ju nuk ka rëndësi vlera totale. Unë po them vlera totale e këtyre është aq sa është pjesa e kreditorëve që nuk kanë marrë. 83 mijë kreditorë janë gjithsej, vlera që kemi është 1 miliardë e 200 milionë lekë. 51 mijë kreditorë janë të shoqërisë Gjallica, pasi koeficienti është i vogël dhe për një arsye apo për një tjetër nuk kanë ardhur ti marrin. 
Aurora Sulçe:Tollozhina mbetëm tek asetet që mund të kenë firmat piramidale jashtë vendit. Janë evidentuar?
Tollozhina:Ne shpresojmë vetëm në kompanitë Gjallica dhe Vefa. Vlera në qoftë se do riatdhesohet nuk ka të bëjë me koeficientin e dhënë sepse është e papërfillshme. Këto gjyqet që janë nisur para tre katër vjetësh dhe kishim vjet në maj procesin gjyqësor të Vefës, çështja është shtyrë në 2015
Aurora Sulçe:Përveç Greqisë ka vende të tjera?
Tollozhina: Greqi, Itali, Kanada, Austri. Por janë pa shpresë se nuk kanë dokumentacion të rregullt
Guxholli: Kam një mesazh.
Arapi: Lëri mesazhet se je e vogël
Guxholli: Anijen, vilën dhe pronat e tjera që janë blerë nga Vefa 3 milionë dollarë janë shitur nga zotëria 300 mijë dollarë.
Aurora Sulçe: Zoti Arapi, ka pasur vende jashtë që ju keni evidentuar?
Arapi: Deri tani janë 80 milionë dollarë transaksione jashtë Shqipërisë. Në Greqi janë rreth 21 milionë euro. Në periudhën që ne tentuam ti kthejmë brenda afateve ligjorë nga momenti i kërkesës që bëmë ne arritëm të hynim në një marrëveshje për të bërë rikthimin.
Aurora Sulçe: U kthyen paratë?
Arapi:Në periudhën tonë nuk u rikthyen asnjë para.
Lala: Ka pasur tratativa në nivel bisedimesh dhe jo në nivel politik. E vetmja shumë që mund të kthehet është për një vendim gjyqësor të marrë nga një gjykatë greke rreth 10 milionë euro që i përkisnin kompanisë Vefa. Po të ketë një vullnet ajo shumë kthehet në Shqipëri. Përsa i përket pjesës tjetër nëse nuk ka nivele të larta politike të angazhuara është shumë e vështirë të kthehen në Shqipëri dhe tu kthehen qytetarëve.
Aurora Sulçe: Zoti Tollozhina kur mbyllet i gjithë procesi?
Tollozhina: Në bazë të ligjit 2012 ka dhe tre vjet kohë deri në 2017 mbyllet komplet procesi dhe deri në atë kohë Shqiptarët kanë të drejtë të tërheqin lekët e tyre në bazë të koefiçinetëve që kemi nxjerrë. Normalisht përderisa nuk priten lekët të ardhur nga jashtë dhe ajo shumë që do vi është shumë e vogël dhe nga debitorët brenda vendit është shumë e pakët unë e quaj të udhës procesi është i mbyllur në bazë të këtij dokumentacioni që kemi marrë. Kjo administratë ka bërë thjesht vazhdimin procesit. Ju bëjë thirrje shqiptarëve që kur të venë në sportele të jenë me kontratë dhe mandat dhe bëhet fjalë vetëm për ata që nuk kanë marrë lekë fare. Kush nuk ka dokumente origjinale nuk përfiton asnjë gjë.
Aurora Sulçe:Pak më parë u pyeta çfarë do ndodh me paratë që do ngelen pa shpërndarë?
Tollozhina: Kjo nuk më takon mua ta them.
Aurora Sulçe: Zoti Arapi u mbyll procesi siç duhet?
Arapi: Procesi nuk u mbyll siç duhet madje ka ecur mbrapsht. Ky proces hyri në një rrugë jo efektive koefiçinetët janë të përcaktuar dhe nuk mund ti ulë askush.
Guxholli: Për mua kjo qeveri duhet të ndalojë flluskat sidomos në këtë pikë kaq të ndjeshme, ku njerëzit preken shumë. Paratë nuk janë.
Lala: Nëse kanë mbetur 3 para t’i ndajnë me transparencë. Sa i përket vullnetit politik, mendoj se ka munguar gjithmonë, e sollën ata që e sollën po e mbyllin këta që e mbyllin. Mos u shtoni më plagën shqiptarëve, nëse nuk keni lekë, mos i lodhni. Jini transparentë me publikun dhe mbaron kjo histori.
Tollozhina: Lekë kanë lënë të gjithë shqiptarët majtas djathtas. Unë ju kërkoj ndjesë për atë hapje të plagës. Unë garantoj të gjithë atë pjesë të kreditorëve që nuk kanë marrë asnjëherë lekë, i kanë të garantuara lekët dhe kanë të drejtë t’i marrin në çdo kohë.

(er.nu/a.n/BalkanWeb)