Dje asistuam në një tjetër sprovë të situatës së vajtueshme të lirisë së fjalës në Shqipëri. Pas deklarimeve të përfaqësuesit gjerman, kryetarit të Komisionit për Çështje Europiane në Bundestag, në parlamentin gjerman, z. Gunther Krichbaum, se qeveria po fut hundët në sistemin e drejtësisë dhe se pa konsensus s'ka kurrfarë reforme të dobishme, papritur, këto deklarata u zhdukën nga portalet e gazetave të Edi Ramës. Ai që deri para pak çastesh, ishte trajtuar si yll mediatik, vetëm pse kujtoi si referencë se me 21 korrik ndoshta mund të miratohej reforma në drejtësi, nëse do të kishte konsensus mes palëve, pas deklarimit se pa konsensus, ajo reformë s'do ishte e dobishme, përkundrazi mund të sillte edhe heqjen e statusit të kandidatit për Shqipërinë, thjesht u censurua. Deklarimet e Krichbaum u censuruan dhe kjo ndodhi gjatë gjithë ditës dhe faqe të gjithëve. Fakti se kjo censurë mund të jetë produkt i naivitetit dhe joprofesionalizmit bie nga trajtimi si "yll" që iu bë deklarimeve të deputetit të partisë së Angela Merkelit gjatë pjesës së parë të ditës, prandaj dhe kjo alibi bie. Mbetet thjesht fakti se Edi Rama nuk zbaton dot porosinë e Berlinit për konsensusin e domosdoshëm për reformën në drejtësi dhe urdhëron censurë të plotë, censurë për çdo ithtar të konsensusit derisa të mbërrijmë tek 21 korriku, ku do numërohen votat në parlament e do shihet a i ka blerë dot votat që e emërojnë kryeministrin kryehetues, kryeprokuror e kryegjyqtar të Shqipërisë.