Kuvendi
Shtyhet diskutimi i ligjit, debat i ashpër për kriteret

Frenohet puna në Komisionin e Ligjeve për miratimin e amendamenteve të opozitës për ligjin e faljes. Neni 5 ka ndezur debatet PD-PS për përcaktimin e kritereve ndaluese për faljen e dënimit. Pas debateve, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, u ka dhënë më shumë kohë anëtarëve socialistë për t’u menduar, duke e shtyrë miratimin e nenit 5. Referuar këtij neni, anëtarët vendosën riformulimin e tij. Gjithashtu, anëtarët e komisionit debatuan edhe amendimin e paraqitur nga deputetët e opozitës. Duke iu referuar pikës “d” të nenit 5, në draft përfshihen si vepra penale vetëm genocidet, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, ndërsa socialistët kërkojnë që kjo pikë të jetë më e zgjeruar. “Terrorizmi përjashtohet nga projektligji që ka ardhur nga qeveria dhe kjo për ne është politike”, tha deputetja e PS-së, Shegushe Ligori. Nga ana tjetër, deputetja Mesila Dode kërkoi që në amendimet e PS-së të përfshihen si masë ndaluese për faljen edhe ata persona që kanë pasur lidhje me bandat. “Duke iu referuar edhe zonës sime, unë them se duhet të ndalojmë faljen edhe për bandat e armatosura, dhe për Aldo Baret”, tha Mesila Doda, deputete e PD-së. Ligji për faljen është përcaktuar në axhendën e seancës plenare të 17 qershorit, por duket se pengesat në Komisionin e ligjeve do ta shtyjnë atë për seancën e ardhshme. Ndonëse neni 5 u kthye në pengesë për dy forcat e mëdha politike, komisioni miratoi nenin pasardhës me të cilin ndryshoi subjektet që kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për falje. Gjatë diskutimeve për nenin 7, debati u përqendrua lidhur me destinacionin se ku të paraqitet kërkesa për falje. Më pas anëtarët e komisionit vendosën vijimin e shqyrtimit të neneve të tjerë në mbledhjen e radhës. Komisioni i Ligjeve arriti të diskutojë dje vetëm tre nene dhe më problematiku ishte neni pesë, për të cilin opozita kërkoi që të miratohen propozimet e saj.


Referuar këtij neni, anëtarët vendosën riformulimin e tij. Opozita për nenin pesë kërkon të ndalohen lejet e faljes për financuesit e terrorizmit, bandat e armatosura, organizatat terroriste, trafikuesit e personave, organizatat kriminale, trafikantët e të miturve dhe vjedhja me pasojë vdekjen.








#