çfarë gjëje ka ndodhur, e për të cilën ne nuk kemi lajme? çfarë lajmesh kemi për ato gjëra për të cilat kemi “lajme”?
Nga Arben Idrizi
Në një përkthim shqip të Eneidës së Virgjilit, një nga figurat mitologjike siç është Fama është përkthyer me një ekuivalent, të qëndrueshëm në ndonjë kontekst por të pasigurt në esencë. Ekuivalenti në shqip është dhënë me termin Lajm. Pikërisht në Këngën IV, njëra ndër këngët më të bukura të shkruara ndonjëherë për dashurinë, Virgjili jep edhe gjenezën e Famës. Sidoqoftë, nëse do të ndiqnim guximin e përkthyesit (dhe pasigurinë?), duke përjashtuar praktikën dhe sigurinë me anë të së cilës termi si i tillë lihet në origjinal, meqë është një figurë mitologjike dhe pak a shumë një term i ngulitur në aspektin terminologjik edhe në shqip, atëherë do të mund të përkthenim edhe: Nami, Zëri, Fjala (u përhap nami i keq se... i doli zëri... dëgjohen fjalë se...). Shkurt: mësimi (nëse ndonjëherë duhet të ketë ndonjë mësim!) që na vjen nga kjo figurë është se Fama mbi një të bëmë tonën përhapet në të katër anët e botës njëkohësisht me zhvillimin e asaj të bëme. Qoftë edhe nëse ajo e bëmë realizohet në fshehtësinë më të madhe. E ndoshta sidomos nëse bëhet në fshehtësinë më të madhe. Andaj Fama është një lloj hyjnie. Dhe andaj Shën Agostini do ta kontestonte më vonë këtë cilësi, duke e reduktuar në thjesht ‘dhunti’, ose fat në këtë rast, që Hyjnia e ka përcaktuar për ne.
Detyrohemi të përsëritemi. Po ky nuk është faji ynë. Detyrohemi ta përsërisim atë se, ta zëmë, për tërë këto vite të pasluftës, Fama gjithmonë ka ngarendur në të gjitha anët e këtij vendi për ta bërë më “dije” se dikush është vrarë, se dikush ka vjedhur një tender, se dikush ka vënë reket, se dikush ka marrë mito, se dikush është korruptuar, se dikush i ka shpëtuar drejtësisë, se dikush s’e ka vënë drejtësinë në vend, etj.
Në të vërtetë, kjo lloj Fame është njëfarë gjendjeje e ndenjur ngushëllimi e shprese. Si e tillë ndoshta aspak për lakmi. Por kaq është roli i saj.
Shekuj më vonë, nga i njëjti vend (por ‘vendet janë vetëm fjalë në atllas’), një poet do të hidhte në krizë të menduarit e tillë. Që ta themi pa dorëza, ironia e Montales është vetëm një mënyrë e thënies së një urtie. Ai thotë se ‘historia i ka mangut lajmet, nuk i përmbush të gjitha hakmarrjet e saj’.
Në këtë kundërti të papajtueshme, do të parapëlqeja ta besoj të dytën. Jo për të thënë se është më afër të Vërtetës, apo se e vërteta mitologjike është më ose vetëm letrare.
Duke perifrazuar një shkrimtar si O.Wilde, do të thoshim se jo parimet, por interesat, ambiciet e personaliteteve (të dyshimta?-dhe me kusht që këto të mos jenë parime) janë ato që bëjnë epokën.
Montale qëllon në shenjë, ndoshta ngase Fama përnjëmend nuk përhapet në të katër anët e botës, as me shpejtësinë e dritës, as kurrë. Disa të bëma edhe ndodhin në fshehtësinë më të madhe, por edhe historia s’arrin të hakmerret ndaj tyre (në rastin kur është për t’i gjykuar-në kuptimin e vlerësimit të tyre moral, historik pse politik).
Ose, në hipotezën tjetër, ndodh një hakmarrje (vlerësim) vetëm ose thjesht pas shembjes së asaj epoke (ideologjie). Në këtë rast, pasojat janë shpesh të pariparueshme, ose kanë lënë tashmë gjurmë të pashlyeshme.
Atëherë, çfarë gjëje ka ndodhur e për të cilën ne nuk kemi lajme? çfarë lajmesh kemi për ato gjëra për të cilat kemi “lajme”?
Apo ndoshta vërtet nuk është aq e trishtë të jetohet në pasojat e një të bëme, edhe pa e njohur atë të bëmë?
E megjithatë, për këto do të duhej të vendosnin dhe reflektonin parimet, e jo personalitetet.