Ditë më parë, më 17 prill 2008, gazeta e njohur "Shqip", pa dyshim njëra ndër me autoritaret e shtypit të shkruar në Shqipëri, përmes një shkrimi, mjerisht, në kundërshti me vlerat e saj, botoi një shkrim denigrues ndaj profesor Fasli Veliut, deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Sipas "dokumenteve sekrete" që i janë afruar gazetës "rezulton" se një deputet shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë, Fasli Veliu, ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete jugosllave deri në vitin 1996. Për të bërë sa më "të dëshmuar" këtë pohim, gazeta e sipërme boton edhe dy faksimile, që i janë ofruar asaj, sipas të cilave "vërtetohet" saktësia e dokumenteve që janë sjellë në dëshminë e tyre. Nuk e di burimin që i është afruar gazetës për t‘i servirur këto "dokumente".
Të nesërmen e botimit të këtij shkrimi, unë iu drejtova një mikut tim, i cili është gazetar i respektuar në këtë gazetë, për t‘i qartësuar se në rastin e figurës së cituar është bërë një gabim i ndjeshëm, lajm i cili, megjithëse është i pabesueshëm për shqiptarët që e njohin nga afër apo nga larg Fasli Veliun, sjell një ndjenjë jo të mirë ndaj gazetës së mirënjohur "Shqip". Nuk e di nga janë nisur botuesit e këtij materiali, i cili, në mos tjetër, për nga vetë rëndësia dhe pesha që mbart, duhej të saktësohej, pasi, në ditët e sotme, kur gjithçka është e mundur, fare lehtë, mund të konvertohen dokumente të tilla, sidomos nga ata që kanë pasur lidhje të vërteta me shërbimet e fshehta të sigurimit jugosllav apo serb.
Fasli Veliu nuk është i ri në politikën shqiptare. Në të kundërtën, ai është një emër shumë i njohur, jo vetëm si figurë atdhetare, por edhe njerëzore. Për shumë vite me radhë, ai ka qenë një ndër figurat më të spikatura të lëvizjeve ilegale në Kosovë dhe jashtë saj, madje, për disa vite edhe drejtuesi i lëvizjes ilegale Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila është themeluese dhe drejtuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fasli Veliu ka pasur meritën që të jetë njëri ndër themeluesit dhe emërtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vetë pozicionin që ai ka pasur, ka qenë në lidhje me strukturat drejtuese të këtij formacioni të madhërishëm që në momentet e para dhe deri në përfundimin e luftës; ka marrë pjesë direkte në hartimin e strategjive dhe ngritjen e strukturave politike e ushtarake të saj, gjithnjë përmes një sektori të veçantë, i cili drejtohej nga Xhavit Haliti "Zeka", dhe ku bënin pjesë edhe Ali Ahmeti "Abaz Gjuka", Jashar Salihu, e më pas edhe Azem Sylja "Daja i vogël ose Antoni". Pra, ai ka qenë që në fillimet e ngritjes së strukturave ilegale të luftës në Kosovë, dhe nëse, qoftë edhe për një moment do të ishte i saktë materiali i paraqitur si i tillë, dëmet dhe pasojat në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kishin qenë të pallogaritshme.
Fasli Veliu, i njohur edhe si "Daja i madh" ose edhe shkurt "Daja", ishte njëri ndër autoritetet politike të lëvizjes ilegale LPK, që kishte lidhje të fuqishme me studentët në Prishtinë, gëzonte respektin e tyre dhe i dëgjohej fjala, ndoshta më fort se shumë të tjerëve. Disi i butë në shpirt, romantik për nga natyra, poet dhe gazetar, njeri që beson shpejt dhe që mbahet fort pas fjalës së dhënë, në rrugëtimin e tij të gjatë politik, si gjithë të tjerët, ai mund të ketë bërë edhe gabime ose lëshime, mirëpo, askush, e theksoj, askush, për asnjë çast, edhe kur ka pasur goditjet më të ndjeshme në radhët e organizatës dhe të strukturave të luftës, nuk ka hamendësuar se pas tyre mund të ishte një figurë si Fasli Veliu. Për më tepër, pas goditjeve që kanë ndodhur, sidomos në dhjetor dhe në maj 1997, një komision i posaçëm, ka verifikuar punën e të gjithëve shokëve dhe strukturave të lidhura me ndodhitë e luftës, por askush, në asnjë rast dhe asnjëherë, as që ka ngritur dyshimin më të vogël për figurën e Fasli Veliut. Pasi ka qenë tepër e qartë figura e tij, dhe në të njëjtën kohë, pasi njohuritë e tij kanë qenë tepër të gjëra që mund të kishin sjellë pasoja tepër të mëdha.
Atëherë pse është synuar të përbaltet figura e Fasli Veliut dhe të përfitohet nga faqet e hapura të gazetës autoritative "Shqip"? Si e thashë, një material, pak a shumë i tillë, ka ardhur nga një parti politike në Maqedoni dhe koha që është zgjedhur, ashtu si edhe objekti i përcaktuar, ngjan si dy pika uji me ato që kanë ndodhur edhe para fushatës së fundit të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Aso kohe, Menduh Thaçi, pat hedhur dhe lançuar tezën se pas arrestimeve të ndodhura në lëvizjet ilegale dhe ngjarjeve të dhimbshme që lidhen me zhvillimin e saj, qëndron Ali Ahmeti, lideri politik i BDI. Ai citoi edhe dokumente që nuk ekzistonin, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe tani, mendoj se jo rastësisht, në lajmin e dhënë se një deputet shqiptar rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete jugosllave, është dhënë dy herë fakti se Fasli Veliu është daja i Ali Ahmetit, drejtuesit të BDI. Në të vërtetë, ky është synimi edhe i gjithë kësaj loje politike. Zakonisht, në traditën e hershme, është nisur nga nipi për të shkuar te daja, tani, ndodh e kundërta, po nisen nga daja për të shkuar te nipi.
Jam i bindur se njeriu, i cili ka përgatitur dhe servirur këtë material si të saktë dhe origjinal, ka pasur lidhje të hershme pikërisht me strukturat me të cilat mbulohet tashmë, roli i të cilit ka qenë pikërisht ai që po luan sot, përçarjen dhe denigrimin e mendimit të përbashkët politik të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni.
Ndërsa, për sa i përket "faktit " se Fasli Veliu është "shpërblyer" për punën e tij me 8621 marka gjermane, do të ishte e tepërt të ndaleshim. Për pozicionin që ka pasur dhe detyrat që ka ushtruar, ai, nëse do të ishte dikush tjetër, do të kishte përfituar dhjetëra e ndoshta qindra herë më shumë, gjë që mrekullisht nuk ka asgjë të përbashkët me figurën e tij dhe gjithë jetën e tij.
Fasli Veliu është njëri ndër figurat më të nderuara dhe të respektuara të lëvizjeve ilegale çlirimtare në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ishte një kohë që atë e akuzonin për lidhjet e ngushta që kishte me familjen Jashari dhe familjet e tjera të luftës. Tani, ndoshta të njëjtët, përmes shpërdorimit të besimit të një gazete prestigjioze, e akuzojnë për të kundërtën e asaj që i është përkushtuar.
Në të gjithë këtë histori, ajo që edhe për një kohë do të mbetet, është ndjenja jo e mirë përse një gazetë kaq e besueshme u ngut me një çështje krejtësisht të pabesueshme.