Kreu i republikanëve dhe njëkohësisht ministër Mjedisi, Fatmir Mediu, ka reaguar në lidhje me arrestimin e Fatmir Kajollit, që konsiderohet si një prej miqve të ngushtë të tij, duke e mohuar këtë miqësi. Në një prononcim të shkurtër për GSH, Mediu ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me Kajollin dhe se akuzat janë të sajuara.


Nuk merrem me akuza të pabaza dhe të sajuara, ka thënë shkurtimisht Mediu. Fatmir Kajolli është anëtari i PR-së në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe, pavarësisht se Mediu e ka mohuar, ka pasur për shumë kohë një miqësi të fortë me këtë të fundit. Kajolli, i përfolur për lidhjet e tij të ngushta me politikanë mjaft të fuqishëm në vend, si Sokol Olldashi dhe Enkelejd Alibeaj, përveç Mediut, u ndalua në datën 9 prill, në afërsi të një lokali përpara Bashkisë së Fierit. Arrestimi i tij u bë për qëllim ekstradimi në shtetin fqinj, ku ai është dënuar nga dy gjykata, në Romë dhe Milano, me 16 dhe 24 vite burg, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.