Procesi i hapur prej tij në Gjykatën e Tiranës rrezikon të pushohet. Gjyqtarja Fatmira Hajdari i jep edhe një mundësi të fundit ish-ministrit


Tiranë – Ish-ministri Fatmir mediu duket se po ndryshon strategji ndaj kryeprokurores Ina Rama. Pas shumë deklaratave dhe akuzave të forta për nxjerrje të sekretit hetimor, duket se nuk ka të njëjtin nerv edhe interesimi për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Në këto rrethana, gjyqtarja Fatmira Hajdari u detyrua dje t’i jepte edhe një mundësi të vetme Mediut si palë që ka nisur këtë proces. Gjyqtarja shpjegoi se sipas ligjit, nëse pas dy javësh sërish pala paditëse nuk paraqitet në sallë, atëherë procesi pushohet. Në seancën e djeshme janë paraqitur vetëm dy prokurorët e çështjes.

Padia

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ngriti kallëzim penal ndaj prokurores së Përgjithshme Ina Rama në mars të këtij viti. Ish- ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe njëkohësisht një prej të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, nuk mjaftoi me atë veprim ligjor, por përgatiti një padi për në gjykatë, kësaj here ndaj prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe vartësit të saj, Sokol Stojani. Ky i fundit, drejtues i grupit hetimor që u mor me tragjedinë e Gërdecit. Sipas akt-padisë së depozituar në Gjykatën e Tiranës nga avokatët Visha dhe Serjani, ajo akuzohet për shpërdorim detyre dhe zbulimin e sekreteve hetimore. Në cilësinë e provës avokatët kanë paraqitur CD-në e konferencës së 25 prillit 2008, ku kryeprokurorja njofton kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paditi penalisht për “shpërdorim detyre” prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe drejtuesin e grupit hetimor të çështjes “Gërdeci”, prokurorin Sokol Stojani.

Pretendimi

Avokatet e Mediut janë shprehur në mënyrë publike se Ina Rama ka nxjerrë sekretin hetimor gjatë një konference për shtyp, kur ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Në kallëzim pretendohet se Ina Rama dhe prokurori i çështjes, Stojani, kanë shpërdoruar detyrën. Sipas Mediut, kërkesa për procedim penal ndaj prokurores së Përgjithshme mund të realizohet pasi Ina Rama nuk gëzon ndonjë imunitet në këtë drejtim. Mediu ngriti padi edhe kundrejt prokurorit Stojani, kryetar i grupit të hetimit të çështjes “Gërdeci”. “Prokurori Stojani, nëpërmjet ndërhyrjes me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër kur ‘puna’e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja i kaloi gjykatës, ka synuar diskreditimin publik të zotit Mediu për shkak të abuzimit keqdashës dhe jotransparent të të dhënave që ai disponon. Veprimi i zotit Stojani është jo vetëm i paligjshëm, por dhe i paprecedent në historinë e Prokurorisë shqiptare”, -është shprehur avokati Visha.



Deklarata e avokatëve: “Ina Rama pati qëllime kriminale”



“Sot, më datë 23 mars 2009, deputeti Fatmir Mediu ka paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin për:

1) Shtetasen Ina Haxhi Rama, me detyrë prokurore e Përgjithshme e Republikës, pasi ajo, në datën 25 prill 2008, në cilësinë e prokurores së Përgjithshme të Republikës, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes penale numër 3 të vitit 2008, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, kanë kryer veprën penale të ‘zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete’ parashikuar nga Neni 295/a, paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe atë të shpërdorimit të detyrës. Për të realizuar qëllimin e saj kriminal dhe diskreditim publik të z. Fatmir Mediu dhe për të krijuar një opinion të pavërtetë rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec, ajo, gjatë deklarimit të kërkesës për heqje imunitetit ka publikuar në mënyrë të qëllimshme dhe të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të dosjes hetimore përkatëse. Kryerja e veprimit të mësipërm vjen në kundërshtim me Nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale si dhe Nenin 6 pika 2 të ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’.

2) Shtetasin Sokol Stojani, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetar i grupit të hetimit të çështjes penale të lidhur me ngjarjen e Gërdecit, pasi ai, në këtë cilësi, në emisionin 'Opinion’ të televizionit ‘Klan’ të datës 19 mars 2009, i ka sugjeruar nëpërmjet dhjetëra mesazheve elektronike SMS panelit të gazetarëve pyetje për z. Fatmir Mediu, i ftuar në atë emision”.





Thërrmimi i dosjes “Gërdeci”



Dosja “Gërdeci”, për të cilën Prokuroria ngriti akuzë për 29 persona, tashmë është ndarë në dy pjesë. Njëra dosje ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë, me një të pandehur, ish-ministrin e Mbrojtjes, kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu. Ndërsa dosja tjetër në Gjykatën e Tiranës, me 28 të pandehur të tjerë. Nga 29 të pandehur, të cilët Prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori Teknik i Fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i “MEICO”-s, Sokol Gjeçi. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.











11 Shtator 2009