I pandehur për tragjedinë e Gërdecit, për të cilën ka tashmë dy akuza, hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk kanë përfunduar ende. Prokuroria e Përgjithshme është duke e hetuar atë për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, gjithmonë në lidhje me detyrën që ka ushtruar si ministër i Mbrojtjes. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, për të vërtetuar këtë akuzë, grupi hetimor është duke verifikuar gjithë pasurinë e ish-ministrit. Bëhet fjalë për origjinën e kësaj pasurie, nga ka ardhur, sa është shtuar gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e ministrit të Mbrojtjes. Ndaj dhe, sipas burimeve, grupi hetimor i ka kërkuar ndihmë ZRPP-së së Tiranës, degës së saj në Kavajë, bankave të nivelit të dytë, ku z. Mediu ka llogari bankare, zyrës së ILKDP-së për formularët e dorëzuar gjatë tre viteve të fundit nga ky shtetas për deklarimin e pasurisë së tij. Të gjitha këto verifikime bëhen pasi hetuesit dhe prokurorët kanë dyshime se ish-ministri Fatmir Mediu ka përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes korrupsionit, duke i investuar këto para në pasuri të paluajtshme, si vilë në bregdet, hotel luksoz apo dhe hapësira të mëdha në metër katrorë për banesë. Të gjitha këto tani për tani janë në kuadrin e dyshimeve, sipas burimeve, ndaj dhe z. Mediu është dërguar për gjykim vetëm për dy akuza, “shpërdorim detyre” dy herë. Të njëjtat burime shtojnë se grupi hetimor është duke verifikuar origjinën e parave me të cilat janë blerë apo shtuar pasuritë gjatë kohës që Fatmir Mediu ishte ministër dhe pas dorëheqjes. Në sitën e hetuesve do kalojë çdo shpenzim dhe fitim, i cili do të llogaritet me kujdes për të parë nëse paratë e fituara justifikojnë pasuritë e shtuara. “Nëse verifikohet që ka pasuri që janë shtuar gjatë kohës që ka qenë ministër, pa mundur të verifikohen të ardhurat dhe shpenzimet, apo dhe për pasuri të tjera të padeklaruara, atëherë për z. Mediu do të ngrihet edhe një tjetër akuzë, ajo e “korrupsionit pasiv” të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”, - bënë të ditur të njëjtat burime nga organi qendror i akuzës.