Muaji tetor është muaji i mbjelljeve dhe fermerët po shfrytëzojnë motin e mirë për të mbjellë arat në këto ditë vjeshte.



Në Gradishtë të Lushnjës shumë nga banorët kanë dalë me humbje me misrin që kishin mbjellë sezonin e kaluar e tani po mbjellin foragjerë për të siguruar ushqimin për bagëtitë. Fermerët ankohen se kostoja e të mbjellave është rritur shumë, pasi çmimi nëse përdor makineri për plugimin e tokës, plehërimin dhe mbjelljen e saj kushtojnë shumë, ndaj ata i janë kthyer kohëve të shkuara kur farën e hidhnin me dorë. Kostoja është rritur për shkak të çmimit të lartë të naftës. Ndaj edhe ata që i zotërojnë këto mjete pune thonë se asnjëherë nuk arrijnë ta marrin hakun e punës të plotë. Fermerët thonë se, nëse çmimi i karburantit nuk do të ulet dhe çmimet e mjeteve të mekanikës bujqësore do të mbeten kaq të larta, tokat e Myzeqesë do mbeten djerrë ose do të kthehen edhe njëherë që ta punojnë me parmëndë. / Top Channel