Fernando Alonso dhe Felipe Massa sollën fitore 1-2 për Ferrarin në garën për Shpërblimin e Madh të Bahrejnit, ngjarjen e parë të sezonit 2010 në Formula 1. Lewis Hamilton në McLaren ishte i treti, ndërsa shtatë herë kampioni i botës, Michael Schumacher – i rikthyer nga pensioni – përfundoi i gjashti për Mercedes GP në Sakhir.



Dy herë kampioni i botës, Alonso zhvilloi garën e tij të parë për Ferrarin pas kalimit nga Renault. Kjo ishte fitorja e tij e parë nga gara për Shpërblimin e Madh të Japonisë më 2008. “Ishte ditë e veçantë për mua, gjendem në ekipin më të mirë në botë. Të jemi i pari dhe i dyti është ajo që e meritojnë këta djelmosha (në ekip)” tha Alonso në konferencën për shtyp pas garës. Sebastian Vettel, i cili u nis nga pozita e parë, ishte lider, ndërsa Alonso e tejkaloi Masssan për pozitën e dytë.



Pas rrethit të parë të ndaljeve në bokse, Vettel ruajti epërsinë ndaj Alonsos dhe Massës, ndërsa Hamilton, kolegu i tij nga McLareni, Jenson Button – kampioni i botës nga viti 2009 – Nico Rosberg dhe kolegu i tij nga Mercedesi, Schumacher, mbanin pozitat e tjera. Në vazhdim të garës, Button humbi ritmin dhe ishte 15 sekonda prapa liderit.



Alonso regjistroi gjiro më të mira dhe shtoi presionin ndaj Vettelit duke afruar epërsinë në 1.1 sekonda. Deri në xhiron e 34-t, Vettel dukej se po shkon drejt fitores, por ai humbi fuqinë e bolidit që dyshohet se ishte shkaktuar nga një lëshim në motor.



Kjo i mundësoi Alonsos, e pastaj edhe Massës dhe Hamiltonit ta tejkalojnë dhe t’i kompletojnë tri pozitat e para. Vettel qëndroi i katërti, i përcjellë nga Rosbergu, Schumacheri dhe Buttoni. Mark Webber nga Red Bulli, Vitantonio Liuzzi nga Force India dhe Williamsi i Rubens Barrichellos, morën pikët e fundit.



Rezultatet e garës:



1 Fernando Alonso 1:39:20.396

2 Felipe Massa 1:39:36.495

3 Lewis Hamilton 1:39:43.578

4 Sebastian Vettel 1:39:59.195

5 Nico Rosberg 1:40:00.609

6 Michael Schumacher 1:40:04.559

7 Jenson Button 1:40:05.676

8 Mark Webber 1:40:06.756



Renditja e përgjithshme:



1 Fernando Alonso 25

2 Felipe Massa 18

3 Lewis Hamilton 15

4 Sebastian Vettel 12

5 Nico Rosberg 10

6 Michael Schumacher 8

7 Jenson Button 6

8 Mark Webber 4