08-12-2013 / Gazeta 55

Përveç atmosferës me dekorin e dritave shumëngjyrëshe, Bashkia e Tiranës ka parashikuar dhe një sërë aktivitetesh me rastin e festave të fundvitit. Drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, Arben Skënderi tha se Bashkia ka marrë masa që gjatë këtij muaji të ketë aktivitete për të gjitha grupmoshat dhe për çdo shije e preferencë. Çdo fundjavë rreth pemës në sheshin “Skënderbej” do të ketë aktivitete e po kështu në “qytetin e festave” dhe ne ambiente të tjera të kryeqytetit.
“Festimet kanë filluar në mënyrë shumë interesante në kryeqytet, që me ndezjen e dritave në datën 5 dhjetor dhe po vazhdojnë. Do të doja të përmendja një koncert me muzikë klasike, në fakt vokal simfonik, sonte në mbrëmje në ora 19:00, në kishën apostolike të re, që ndodhet tek zona e bllokut, ku një grup artistësh nga më të mirët që kemi, nën drejtimin e Gridi Krajës, Marjana Leka, Aristidh Prosi, Ilir Kodhima, etj, do të na japin një program Krishtlindjesh tepër interesant për artdashësit e muzikës klasike dhe i ftoj të gjithë që të jenë sonte, në orën 19:00 te kisha Apostolike e re në bllok, sepse do të kemi një “buketë” veprash nga Glazunov, Schostakovic, Shubert Mozart, etj, për të gjithë artdashësit e kësaj gjinie muzikore.  Ndër të tjera, aktivitetet do të vijojnë në tre fundjavat që na ndajnë deri në fund të vitit, në fakt.
Këtu, pranë pemës ku ndodhemi sot, do të ketë aktivitete nga më të ndryshmet, për grupmosha të ndryshme, çdo fundjavë, lojëra popullore, akademinë “Robert Radoja”, me valle e këngë për fëmijët dhe për të rriturit. Ansambli “Tirana”, po ashtu në fundjavat që vijnë, do të jetë banda e qytetit, në një destinacion tjetër, që është kthyer i paevitueshëm për festimet, madje quhet edhe “qyteza e festave” (e kemi quajtur këtë vit) në rrugën pedonale “Murat Toptani”, ku fanfara Tirana do të bëjë një spektakël tepër interesant me vepra kushtuar gjithmonë tematikës së festave të fund-vitit, Krishtlindjeve por duke mos harruar këtu edhe një programacion tepër të pasur të Teatrit të Metropolit, për të gjithë artdashësit dhe të gjithë të interesuarit për këtë zhanër të caktuar, ku kemi shfaqje për fëmijë që janë tepër të suksesshme, kemi dubluar oraret e shfaqjeve çdo të shtunë dhe të dielë por edhe për të rriturit, pra teatri i Metropolit, suke mos harruar edhe polin artistik të Tiranës, pranë qendrës “Ten”, ku dy ekspozita janë aktualisht të hapura dhe do të ketë edhe shfaqje filmash, dokumentarë, pra dinamika në kryeqytet, në këto tre fundjava që kanë ngelur, në këto ditë deri në fund të vitit është tepër e ngjeshur por kemi menduar që pema, këtu ku ndodhemi, duke u nisur nga fakti që si për kalimtarët, si për qytetarët kalimthi në Tiranë por edhe për vetë tiranasit është kthyer në një destinacion tepër interesant për foto, takime me njeri-tjetrin, për të ndjerë këtë atmosferë festash. Rrotull kësaj peme, kemi menduar që gati çdo mbrëmje të jetë e animuar dhe sigurisht fundjavat kur njerëzit janë më të disponueshëm për të dalë, festuar dhe për të ndjerë aromën e festave” -  u shpreh Skënderi.

...