Të shtunën në mbrëmje, legjenda e boksit, Muhamed Ali është nderuar nga aktorë, atletë dhe ish-kundërshtarë të tij që u paraqitën në MGM Grand hotel të Las Vegasit, për të festuar 70-vjetorin e njeriut që ndryshe njihet si “Më i Madhi”.

Evenimenti u organizua një muaj pas ditës së lindjes së ish-kampionit të botës për peshat e rënda në boks, pasi në të vërtetë përvjetori i tij ishte në janar.

Tetë herë kampioni i “Grand Slam”-it, Andre Agasi, ishte vetëm njëri prej legjendave të sportit të pranishëm dhe ai nuk i kurseu elozhet pët Muhamed Ali.

“Këtu kemi një njeri që gjithmonë ka qenë i sinqertë me vetveten, një person që gjithmonë ka folur në emër të atyre që nuk kanë zë. Ai luftoi për urinë, për barazine dhe nuk u lodh asnjëherë. Ai bëri gjëra më të mëdha, pavarësisht se nuk kishte përfitime. Mendoj që është një shembull jo vetëm për sportin, por për të gjithë”

Në festë morën pjesë edhe artistë të ndryshëm që u ngjitën në skenë, mes të cilëve edhe Stivi Uondër, një personalitet të cilin Muhamed Ali e njeh prej shumë vitesh.

Festa “Mbani shpresën të gjallë”, u realizua me rastin e 16-vjetorit të galasë “Fuqia e Dashurisë”. Të ardhurat nga ky event do të jepen për bamirësi për klinikën “Lu Ruvo Sentër” në Klivland, e specializuar në sëmundjet e trurit si edhe për qendrën “Muhamed Ali”, që ndodhet në qytetin e legjendës së boksit në Luisvil, Kentaki. Muhamed Ali lufton me sëmundjen e parkinsonit prej vitit 1984.