Edicioni i 47-të i Festivalit të Këngës në RTSH, një eveniment ku të gjithë këngëtarët kënduan "play back" dhe orkestra shtirej sikur luante. Kompozitori i njohur, Aleksandër Lalo, denoncoi dje në emisionin "Fiks Fare" organizatorët e festivalit të RTSH-së për mashtrimin e radhës që i bënë publikut shqiptar. Këtë vit, ndryshe nga ai i mëparshëm, ku nuk ishte e gjithë orkestra në skenë, por ishte një piano dhe disa harqe, e ndonjëherë pianisti nuk i binte as pianos, ndodhi një çudi e madhe. Në skenën e festivalit qëndronte e ulur e gjithë orkestra simfonike e RTSH-së. Nëse shihje titrat në fund të çdo nate të festivalit, lexoje emrat e 52 personave. Gjë e paparë. Por sipas Lalos, "të gjithë këta 52 veta nuk luajnë asgjë në skenë. Të gjitha materialet ishin të arranxhuara në studiot private". Për kompozitorin e njohur, i cili nuk merr më pjesë në asnjë festival, për këtë arsye, kjo është e pamoralshme. "Është e pamoralshme që një orkestër të mos luajë dhe një dirigjent të drejtojë një orkestër që nuk luan", thekson Lalo. Madje, këta dirigjentë, ai i cilëson si gjeneralë të një ushtrie të vdekur. Kishte edhe raste kur instrumentistët, meqë mërziteshin duke bërë sikur u binin veglave, edhe duartrokisnin ndonjëherë për ndonjë këngë që u pëlqente. Te titrat e realizuesve të festivalit lexon emrat e katër kornove, fagotës, por specialistët e muzikës e dinë mirë që fagoti nuk merr pjesë në orkestrën e muzikës së lehtë. Nëse do të ndiqje me vëmendje të gjitha netët e festivalit në RTSH, do të shikoje se shpeshherë teksti i këngës ishte asinkron me lëvizjen e buzëve të këngëtarit. Madje kishte edhe raste si në fillim të këngës së Getoarit, që kënga filloi dhe këngëtari që sapo doli në skenë nuk kishte ngritur akoma mikrofonin. "Fatkeqësia tjetër ishin nata e dytë dhe e tretë, të cilat ishin komplet ‘play back‘, d.m.th mungonte dirigjenti", tregon kompozitori Lalo. Këto raste ishin të shumta. Madje vetë prezantuesja Elsa Lila, gjatë paraqitjes së këngës, nuk prezantonte emrin e dirigjentit ose e theksonte se dirigjent nuk kishte. P.sh. në prezantimin e këngës "Dikush mungon", kënduar nga Herga Lila, që shoqërohej nga Kristi Popa, vetë prezantuesja e festivalit kërkon dirigjentin në skenë që ta prezantojë, por dirigjent nuk ka. Të gjithë ishim dëshmitarë të pamjeve të orkestrës që qëndronte duarlidhur gjatë kohës kur dirigjoheshin nga dirigjenti i mirënjohur Eno Koço dhe këngëtarët këndonin. Pra, ishin "play back". "Nëse RTSH nuk ka aftësi, ose nëse ajo redaksi nuk do ta bëjë festivalin, le ta japë me tender që ta bëjë dikush tjetër, por të mos dalin si manekinë", vazhdon Lalo. Pasi analizon të gjitha netët e festivalit, Aleksandër Lalo, ndalon te juria. "Unë nuk dua të paragjykoj jurinë, por më e tmerrshmja është që në këtë juri merr pjesë edhe një drejtor, drejtori i KESH-it. Këtë nuk e konceptoj dot. Unë e kuptoj që ka njerëz me njohuri të gjerë të përgjithshme kulturore, me një gamë të gjerë njohurish në fushën e muzikës, por nuk mund të jetë drejtori i KESH-it me aq sa kam nuhatur unë", përfundon Aleksandër Lalo, i cili që nga viti 1990 e në vazhdim ka këmbëngulur të ruhej tradita kur orkestra luante direkt në festivale.