Tiranë- Besimtarët myslimanë përmbyllën mbrëmë në darkë, me iftarin e tyre të fundit, muajin e shenjtë të Ramazanit. Pas një muaji adhurim ndaj Zotit, agjërimi dhe përkushtimi ndaj Islamit myslimanët kremtojnë sot Ditën e Fitër Bajramit, ndërkohë që kanë kryer ritin e faljes në orën 6:30 në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Pas faljes së namazit të mëngjesit, festa e besimtarëve muslimanë vijon me drekën e Bajramit dhe me vizita tek miqtë dhe të afërmit, duke uruar më shumë begati dhe harmoni.

Krerët e shteti shqiptar kanë dërguar mesazhe urimi për harmoni, paqe dhe begati besimtarëve mulimanë, ndërkohë që nuk kanë lënë pa përmendur harmoninë fetare si vlerë të çmuar të shqiptarëve.

Nishani: Të ruajmë tolernacën fetare

Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka uruar sot gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, duke u shprehur se ndjehet i ndëruar për urimin e parë si President.

“Është kënaqësi e madhe që urimin e parë si President i Republikës tjua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe bashkëkombasve të mi: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit. Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri- tjetrin. Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet!”

Presidenti theksoi më tej se populli shqiptar duhet të ruajë më tej vyrtytet e tij njëri prej të cilëve është bashkëjetesa dhe harmonia mes besimeve fetare. “Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin”, citohet mesazhi i urimit të Kreut të shtetit.

Berisha: Nderojmë sakrificën

Edhe këtë vit, kryeministri Berisha ka uruar krerët e besimit mysliman për festën e Fiter Bajramit. Kjo, tha Berisha është dita e nderimit të sakrificës.

Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj zotit. Ndaj dhe le të urojmë sot të gjithë besimtarët e zotit: Gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit të sakrificës! Nderimi për sakrificën, është nderimi për arritjen, për ndryshimin, për të mirën dhe mirësinë, tha kryeministri menjëherë pasi doli nga Komuniteti Mysliman.

Ai uroi më tej për më shumë begati, liri dhe siguri në Bajramin pasardhës. Urojmë që Bajramin tjetër ta festojmë më të begatë, më të lirë e më të sigurt, tha Berisha.

/IDEA/