Arritja në finale të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kampionëve në Allianz Arena është objektivi kryesor i Bayern Munichut, ka thënë Franck Ribery. Ylli francez theksoi se gjiganti bavarez ia ka vënë syrin trofeut më të rëndësishëm të futbollit evropian të klubeve dhe është përplot ambicie për sukses gjatë këtij sezoni.


Nga Express më 24 shtator 2011 në ora 08:37

Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery ka bërë të ditur se objektivi kryesor i gjigantit bavarez për këtë sezon është arritja në finale të Ligës së Kampionëve.



Reprezentuesi francez ishte detyruar të përcjellë humbjen 2-0 nga Inter në finalen e garës së vitit 2010 nga tribunat për shkak të suspendimit dhe është i përcaktuar të kompensojë mungesën e tij gjatë këtij sezoni. “Finalja e Ligës së Kampionëve këtë vit zhvillohet në Allianz Arena dhe ky është objektivi më i madh për të gjithë ne, e sidomos për mua”, tha Ribery për ueb faqen zyrtare të klubit.



“Por, ne nuk duhet të vëmë veten nën presion të madh. Na pret një rrugë e gjatë këtë sezon dhe duhet të bëjmë një hap pas tjetrit. Ne kemi bërë fillim shumë të mirë dhe të suksesshëm, tani duhet të ndërtojmë vazhdimin. Jam shumë i motivuar dhe kam synime të larta me Bayern Munichun. Kjo është pse jap gjithçka në çdo ndeshje”, shtoi ai.



Ribery ishte në qendër të spekulimeve rreth largimit nga Bayerni gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo vendosi të mbetet në klub dhe tani ka sqaruar se ndihet i lumtur në gjigantin bavarez, edhe pse pranoi se kishte marrëdhënie të tensionuara me ish trajnerin Louis van Gaal.



“Familja ime ndihet shumë mirë në Munich, biri im është një bavarez i vërtetë. Jam vërtet i lumtur dhe ka kaluar një kohë e gjatë prej kur nuk jam ndjerë kaq mirë. Nuk është sekret se mes meje dhe Van Gaalit nuk funksiononte pothuajse asgjë për një periudhë të caktuar, por për mua është çështje që tanimë është mbyllur. Jam i lumtur me trajnerin e ri Jupp Heynckess, me të cilin kam marrëdhënie të shkëlqyeshme”, përfundoi ai. Bayern e filloi edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve me fitore 2-0 në udhëtim ndaj Villarrealit dhe aktualisht kryeson në Grupin A.



Ata ndeshen me Manchester Cityn të martën në përballjen e tyre të dytë në fazën e grupeve. Finalja e edicionit 2011-12 e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet në stadiumin e Bayern Munichut, Allianz Arena më 19 maj 2012.