Në përvjetorin e 140 të lindjes së poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës, pas më shumë se një gjysmëshekulli është ribotuar në Prishtinë libri përkujtimor ‘At Gjergj Fishta’, në të cilin janë përfshirë shkrimet e disa prej autorëve më të njohur të kohës së Fishtës.


Nga Alfred Beka më 11 maj 2011 në ora 12:20

Në 140-vjetorin e lindjes së poetit, është botuar nga shtëpia botuese ‘Nositi’, në Prishtinë, libri “At Gjergj Fishta”. Libri përfshin shkrime të ndryshme të autorëve dhe studiuesve më në zë të kohës kur jetoi Fishta. Shkrimet e përfshira në libër janë po ato që u botuan edhe në vitin 1943, nën kujdesin e At Benedikt Demës, i cili, pas vdekjes së Fishtës, kishte marrë për detyrë botimin e një numri përkujtimor për poetin e ‘Lahutës së Malësisë’.



Libri ka 544 faqe dhe është i ndarë në katër pjesë: At Fishta si njeri; At Fishta si letrar; At Fishta në vdekje dhe periudhën mbas saj dhe At Fishta në gjykimin e shkrimtarëve (vendas e të huaj).



Në këto katër pjesë, shkrimtarë, studiues, miq dhe bashkëkohës të autorit, në mesin e të cilëve Marin Sirdani, Anton Harapi, Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Sterjo Spasse, Jolanda Kodra, etj., e vlerësojnë personalitetin e Fishtës si dhe krijimtarinë e tij letrare.



Abdullah Konushevci, drejtor i shtëpisë botuese ‘Nositi’, duke folur rreth botimit, gjegjësisht ribotimit të këtij libri, tregon se punës rreth ribotimit të librit “At Gjergj Fishta 1871 – 1940” i kishte hyrë, bashkë me Patër Ambroz Ukën, që në vitin 1996.



“Kisha një motiv të fuqishëm për të përgatitur këtë libër, një kopje e të cilit, sipas fjalëve të P. Ambroz Ukës, kishte shpëtuar nga shkatërrimi i plotë, sepse, me ta gjetur, e kishin zhdukur. E radhitëm librin, i bëmë korrekturat gati plot një vit, megjithëse librin nuk ia dolëm ta botojmë. Pastaj, plasi lufta dhe kjo punë sikur u harrua”, tregon Konushevci.



Për fat, pas luftës, Konushevci e kishte gjetur librin të radhitur dhe pjesën me të madhe të korrekturave të bëra në letër. E kishte lutur një botues që ta merrte përsipër botimin e tij, por, për çudi, siç tregon Konushevci, botuesi i kishte thënë se ai është një libër ‘i mallkuar’.



Ai sqaron se libri është ribotuar falë ndihmës së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq meritat për një riprodhim sa më besnik ua lë françeskanëve të Gjakovës.



“Falë ndihmës së MKRS’së, i hyra korrekturës dhe faqosjes së re të librit dhe gati pesë muaj punova me ngulm, që ky të jetë një riprodhim sa më i saktë i origjinalit. Meritat kryesore për një riprodhim sa më besnik dhe pa gabime, megjithatë, u takojnë françeskanëve të Gjakovës me në krye Patër Ambroz Ukën”, tregon Konushevci, sipas të cilit, se ky libër mund të shërbejë si një bazë e mirë për themelimin e studimeve fishtologjike.



“Kujtoj se libri ‘Atë Gjergj Fishta 1871 – 1940’, që doli si numër përkujtimor i botuar nën kujdes të A. Benedikt Dema O.F.M., mund të jetë një bazë e mirë për themelimin e studimeve fishtologjike, të cilat shpresoj se një ditë do të zënë vend në fakultetet filologjike që i kemi. Këtë ia ka borxh, në mos ndonjë universitet tjetër, atëherë ai i Shkodrës. Tekefundit, sivjet kremtojmë 140-vjetorin e lindjes së Tirteut të Shqipërisë, Homerit të Ballkanit, Poetit Kombëtar, Burrit të Madh të Shqipërisë, viganit të letërsisë shqipe – Atë Gjergj Fishtës, nderimi i të cilit shkonte deri te krahasimi me Gjergj Kastriotin, ani pse një krahasim të tillë më vonë shkrimtarët tanë më të mëdhenj ia rezervuan vetëm Enver Hoxhës”, shprehet Konushevci. Ai mendon se ‘koha e Fishtës po vjen dhe më nuk mund t’i dalë kush para’.