Ervis IljazajNga Ervis Iljazaj

Në Kongresin e Partisë Socialiste që u zhvillua të Shtunën e shkuar, Rama pati mundësinë e parë t'u tregonte shqiptarëve se pavarësisht gjithçkaje, ai është ende i vetmi lider dhe e vetmja shpresë për të ndryshuar rrjedhën e fateve për këtë vend. Momenti dhe konteksti politik e favorizonte këtë, andaj sigurisht, Rama, nuk do të linte që t'i shpëtonte ky rast. I ndodhur pothuajse në fund të mandatit të parë qeverisës të tij dhe përballë një konflikti të hapur brenda Partisë Socialiste, i cili arriti sadopak të vinte në diskutim lidershipin e tij më shumë sesa kritikat e një opozite, që për fat të keq duket e çorientuar dhe pa një identitet të qartë politik, i gjithë fjalimi i Ramës në Kongres kishte pikërisht këtë synim: Të jepte mesazhin e një politikani, i cili është ende më i kuotuari në tregun politik të momentit. Një fjalim gjithëpërfshirës, i kujdesshëm, që prekte çështjet më të rëndësishme politike. Sa ia arriti Rama të tregonte figurën e një lideri tek i cili mund të shpresojnë akoma socialistët dhe shqiptarët në përgjithësi, kjo lë vend për diskutim. Fjalimi i tij, në thelb, kishte tri çështje kryesore. Të tria këto çështje kishin pikat e dobëta dhe të forta të tyre. Pa frikë mund të thuhet se Rama e arriti pjesërisht objektivin e tij.

Së pari, në diskurin e tij foli gjithë kohës për një pakicë brenda Partisë Socialiste, e cila kërkonte votimin e tij si Kryetar i Partisë. Përtej diskutimeve nëse kishte kuptim apo jo të votohej në atë Kongres, ajo pakicë, do të ishte e drejtë të ndihej e përfaqësuar apo të institucionalizohej. Këtë gjë Rama nuk e lejoi dhe ndoshta në disfavor të tij. Ajo pakicë e përfaqësuar nga Ben Blushi, nëse do të ishin zhvilluar zgjedhjet për Kryetarin e Partisë, ndoshta do të rezultonte dhe më e vogël sesa perceptohet në opinionin publik. Tanimë Ben Blushi ka ende një motiv politik për të zhvilluar tezat e tij, motiv që Rama ia dha me duart e tij. Pika e fortë e Ramës në këtë drejtim është fakti se më shumë sesa reformimin dhe demokratizimin e partisë apo shqetësimet për qeverisjen e vendit, "grupi" Blushi, kërkon ardhjen në pushtet. Kjo është një çështje që vetë Blushi e artikulon në mënyrë jo të qartë dhe vë në dyshim besueshmërinë e tezave të tij.

Së dyti, në fjalimin e Ramës një vend të rëndësishëm kishin kritikat e opozitës. Duket qartë që opozita nuk ka arritur deri më tani të formulojë një alternativë të besueshme. Me sa duket, si shumë opozita të tjera në historinë politike të Shqipërisë, edhe kjo opozitë është në pritje të rënies të qeverisë dhe jo ardhjes në pushtet për meritë të vetën. Kjo është në favor të Qeverisë aktuale dhe këtë gjë Rama e di mjaft mirë. Prandaj edhe në fjalimet e tij, siç ishte dhe ky në Kongres, gjithmonë vë në peshore Qeverinë me opozitën. Ky diskurs nuk mund ta shpëtojë Ramën për shumë gjatë. Shqiptarët duan të shohin nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara. Qeveria është objekt kritike kudo në botën demokratike. Prandaj sjellja e një lideri të vërtetë dhe vizionar do të ishte pranimi i kritikave dhe përballja me to.

Së treti, i ndodhur për herë të parë mbas marrjes në dorë të qeverisjes së vendit, përballë organit më të lartë të Partisë Socialiste në fjalimin e tij, Rama u kujdes të bënte një rezyme të arritjeve të Qeverisë. Duke listuar të gjitha këto arritje, ajo që vihej re ishte paraqitja e tij si një reformator i vendosur për të çuar përpara të gjitha politikat e ndërmarra nga Qeveria. Përtej faktit nëse këto reforma kanë dhënë efektin e dëshiruar apo jo, nuk mund të mohohet që kjo Qeveri ka patur kurajën të hedhë hapin e parë për të ndryshuar gjendjen e disa sektorëve të rëndësishëm të jetës publike. Ajo që mungonte në fjalimin e Ramës në këtë drejtim ishte mungesa e një vizioni të zhvillimit ekonomik të vendit, një pikë e dobët kjo e kësaj Qeverie. Pra, ky ishte një fjalim, i cili nuk të bënte optimist për përmirësimin e jetës e ekonomike në të ardhmen. Nuk është faji i shqiptarëve, të cilët nuk duan të punojnë apo janë dembelë, është ekonomia që nuk po zhvillohet me ritme të kënaqshme. Fatet e kësaj Qeverie do të përcaktohen nga ekonomia, një aspekt që Rama mesa duket nuk e ka kuptuar siç duhet.

Është e vërtetë që pjesa më e madhe e shqiptarëve e shohin akoma zgjidhjen e problemeve të vendit te lidershipi i Ramës, por nëse Rama do ta besojë edhe për shumë kohë këtë pa ndryshuar vërtet trendi i zhvillimit ekonomik dhe pa u kryer Reforma në Drejtësi e premtuar, ky do të jetë dhe fillimi i fundit të kësaj Qeverie. Njerëzit duan mirëqenie dhe drejtësi!