E shpallur "Monument Kulture" që nga viti 1978 me vendim të qeverisë së atëhershme, shtëpia e Ongarëve, në Kryegjatë të rrethit Fier, po shkon drejt shkatërrimit të saj. Sikur të mos mungonin agjentët atmosferikë, rreth 300 vite që ajo mban mbi shpinë, mungesa e restaurimit etj., banesa është dëmtuar edhe nga vetë ndërhyrjet e pronarit të saj. Ky i fundit ka ndërhyrë në banesë duke e çimentuar me beton, si dhe duke kryer një shtesë banimi në pjesën jugore të saj. Pronari i shtëpisë, Vasillaq Ongari, tha se është i detyruar në mungesë të investimeve dhe mbrojtjes së këtij monumenti nga ana e shtetit, që të ndërhyjë në pjesë të ndryshme të shtëpisë, për t‘i mbrojtur nga shembjet dhe shkatërrimi.

Shtëpia e Ongarëve është i vetmi monument etnografik në Myzeqe. Ajo është dykatëshe dhe simotra të kësaj godine kanë qenë ndërtesat e pronarëve të tokave të Myzeqesë. Të tillë ndërtim kanë pasur vetëm konakët e agallarëve e bejlerëve nga Gjirokastra e Berati, si Vrionasit, Furrajt etj. Sipas ligjit të deritanishëm, shteti duhet të bashkëpunojë me pronarët e objekteve të shpallur "Monument Kulture". Kjo sipas kategorisë së përcaktuar po nga vetë ai. Shtëpia e Ongarëve është e kategorisë së tretë. Në këto kushte shteti ka harruar të investojë deri në 30 për qind për mbrojtjen e saj. Si dhe nga ana tjetër ka harruar ta mbrojë atë nga ndërhyrjet e pamiratuara nga vetë pronari i banesës.

Banorët e shtëpisë 300-vjeçare janë 9 individë, pjesëtarë të dy familjeve, të cilat janë vendosur në pronat e tyre shumë të hershme. Në të kanë lëvizur më shumë se 7 breza të fisit Ongari, ndërkohë që sot pranojnë ndërhyrjen që kanë bërë në ndërtesë, duke u justifikuar vetëm te mungesa e ndihmës financiare nga shteti.

"Jetojmë këtu prej dhjetëra vitesh. Ndërhyrjen e fundit e kemi kryer pak muaj më parë, ndërkohë që kemi meremetuar pothuaj të gjithë pjesën e brendshme të ndërtesës 3 vite më parë. Nuk mund të qëndrojë e jetojë më në ato kushte. Po binin muret", tregon pronari Vasillaq Ongari.

Më tej, pinjolli i familjes Ongari thotë se "nuk i është përmbajtur arkitektonikës së ndërtesës, pasi dhe mundësitë financiare i kishte mjaft të ulëta. Pritëm që shteti të ndërhynte dhe u detyruam që me një kosto të ulët ta kthenim në një banesë të rehatshme dhe komode për veten". Sot, ndërtesa dykatëshe e vjetër ka përveç gurëve të hershëm 300-vjeçarë edhe një shtojcë me materialet e ndërtimit të kohëve aktuale. Ndërsa mbi të në 18 vitet e fundit është ndërhyrë disa herë nga pronarët dhe asnjëherë nga shteti. Ky i fundit madje ka harruar se e ka klasifikuar objektin në "Monument Kulture".

Veçoritë

Ndërtesa që titullohet si kulla e rrallë dhe e vetme në Myzeqe është rreth 17 kilometra larg nga Fieri. Një pamje e kësaj ndërtese shekullore sheh Parkun Kombëtar Arkeologjik "Apolonia". Duket se prej këtej e ka marrë shkas edhe pronari i saj i parë, i cili realizoi ndërtesën më të fortë atëherë në të gjithë zonën. Është tepër e veçuar nga qendrat e tjera të banuara të këtyre anëve të Myzeqesë, ndërsa përreth saj shtrihet një sipërfaqe e madhe tokash, ku mendohet se fshihen objekte të shumta arkeologjike. Banorët aktualë të saj nuk kanë më "famën" e pasurisë së trashëgimtarëve të tyre, ndërkohë që i janë përkushtuar vetëm bujqësisë. Vizitueshmëria në këtë objekt të rrallë është relativisht e ulët dhe vetëm historianët e arkeologët kanë qenë ata që e kanë parë dhe vijojnë ta vizitojnë Kullën e Ongarëve. Ndërkohë që as specialistët e muzeut dhe arkeologët nuk kanë dashur të komentojnë braktisjen e ruajtjes së këtij "Monumenti Kulture", për shkakun e vetëm për të mos u atakuar me institucionet e larta shtetërore si Instituti i Monumenteve apo dhe Ministria e Kulturës.